Një tjetër shpërthim me tritol është raportuar këtë mbrëmje. Mësohet se pas Lushnjes, një sai tritoli ka shpërthyer në një banesë në Fushë Krujë. Deri më tani raportohet për dëme materiale.

Paraprakisht mësohet se autorët, persona ende të paidentifikuar e kanë hedhur lëndën plasëse në ecje. Ata raportohet të kenë qenë me makinë dhe lëndën plasëse e kanë hedhur nga dritarja e mjetit në drejtim të banesës. Për pasojë, janë thyer të gjitha xhamat e dritareve e dyerve të banesës. Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, familja ndodhej në banesë, por asnjë prej tyre nuk është plagosur. Ata janë trembur dhe kanë lajmëruar policinë.

Zona është rrethuar dhe grupi hetimor është në kërkim të kamerave të sigurisë në zonë që mund të ketë siguruar pamjet filmike të autorëve. Arsyeja e këtij sulmi nuk dihet ende dhe akoma nuk janë zbardhur emrat e familjarëve që u shënjestruan këtë mbrëmje.

Një shpërthim tritoli dyshohet se ka ndodhur në mbrëmjen e sotme në Lushnje. Mësohet se shpërthimi ka ndodhur në një makinë pranë lagjes 18 tetori.

Lënda plasëse është vendosur në makinën e Altin Lamces, e cila ishte e parkuar para oborrit të shtëpisë. Banesa ku jeton Lamçe rezlton të jetë në pronësi të një personi me emrin Arben Turku. Lamce është tregtar në tregun e fruta-perimeve të Lushnjes.

Ndërkohë që në momentin e shpërthimit, në banesë kanë qenë të gjithë anëtarët e familjes, por fatmirësisht nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Në vendngjarja ka shkuar policia së bashku me grupin hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që ende nuk ka një njoftim zyrtar për ngjarjen.