Duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, kryetari demokrat, Sali Berisha, bëri edhe një denoncim.

Ai tha se Edi Rama po shkatërron industrinë e birrës në Shqipëri për të favorizuar vëllezërit serb Kariç.

“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë sepse ai është bërë zëdhënës i vëllezërve Kariç të Vuçiçit. Në emër të interesave të tyre, ai po mbyll dhe po falimenton të gjithë industrinë e birrës të krijuar këto 30 vite në Shqipëri, duke lënë pa punë mijëra familje, të cilat jetojnë duke punuar në sektorë të kësaj industrie.

Këtë e bën direkt vetëm për interesa në kuadër të Ballkanit të Hapur, për interesa të vëllezërve Kariç, të sanksionuar.

Edi Rama duhet të japë dorëheqje për mega-aferën e tmerrshme të portit të Durrësit, që ka përfunduar përsëri në ortakëri me Aleksandër Vuçiç,” tha Berisha, duke risjellë në vëmendjen faktin se e njëjta kompani pati premtuar një investim të ngjashëm astronomik në Beograd, por përfundoi duke hedhur vetëm disa miliona euro.