Policia e Lezhës është vënë në lëvizje për arrestimin e personave të tjerë që janë implikuar në tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin. Pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Lezhës, Fran Frrokaj policia ka nisur për ekzekutimin e vendimeve për personat e tjerë.

Policia prej dy ditësh vijon kontrollet për prangosjen e tyre por pa ja arritur qëllimit. Në këto kushte ata pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë larguar jashtë territorit shqiptar.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës dhe ish-kryetari i qarkut Gjok Ndoka, janë dënuar me nga tre vite burg, ndërsa gjykata shpalli fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Prokuroria dërgoi në gjykatë rreth 20 të pandehur, mes tyre edhe xhaxhain e ish-deputetit Arben Ndoka, Gjon Ndokën, pasi akuzohet për tjetërsim të pronave në Kune dhe Malin e Reçit në Lezhë. Fran Frrokaj dhe zyrtarët e arrestuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”