Policia e Shtetit ka hedhur poshtë lajmet e publikuara dhe dëshminë e një ish-efektivi policie, i cili deklaronte se çdo ditë largohen 6 apo 7 efektivë nga strukturat e shtetit. Në një njoftim zyrtar, PSH shkruan se nuk është aspak e vërtetë që gjatë muajve te fundit janë larguar 600 punonjës policie. Sipas Policisë së Shtetit, në struktura po ndiqet rinovimi i moshës së punonjësve të policisë dhe në këtë kuadër vit pas viti në Akademinë e Sigurisë, kryejnë Kolegjin e Policisë 250 kursantë të cilët pas kryerjes së teorisë dhe praktikës në terren, e më pas emërohen në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në të gjithë vendin. Në njoftim theksohet gjithashtu se pagat janë rritur dhe se dietat e orët shtesë u paguhen rregullisht.

Sqarim i Policisë së Shtetit:

Mbi lajmin e bërë publik në një nga televizionet kombëtare ku pretendohet se nga radhët e Policisë së Shtetit, kërkojnë të largohen çdo ditë 5 deri në 7 punonjës Policie të nivelit zbatues dhe se numri i punonjësve të Policisë së Shtetit është reduktuar për këtë shkak, sqarojmë opinonin publik se: Nuk është aspak e vërtetë që gjatë muajve te fundit janë larguar 600 punonjës policie. Policia e Shtetit, ndjek një politikë rinovimi të moshës së punonjësve të policisë dhe në këtë kuadër vit pas viti në Akademinë e Sigurisë, kryejnë Kolegjin e Policisë 250 kursantë të cilët pas kryerjes së teorisë dhe praktikës në terren, emërohen në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në të gjithë vendin.

Me vendimin e fundit të qeverisë i cili ka hyrë në fuqi më 1 Tetor 2022, punonjësve të Policisë të nivelit bazë iu është rritur paga me 15%, ku të gjithë punonjësit e nivelit zbatues, efektet financiare i kanë përfituar menjëherë. Kërkojmë mirëkuptimin e medias, që para se të publikojë lajme që i përkasin punës së Policisë së Shtetit të kërkojë të dhëna zyrtare pranë strukturave përkatëse në Policinë e Shtetit, me qëllim informimin e saktë të opinionit publik. Gjithashtu sqarojmë opinonin publik se orët shtesë dhe dietat paguhen rregullisht sipas afateve që parashikon ligji dhe puna e Policisë së Shtetit matet dhe bazohet në statistika të cilat janë ligjore dhe aspak fiktive. Sigurojmë qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar paligjshmëritë, krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti dhe në këtë kaudër, fton sërisht ata që të mbështesin akoma më shumë Policinë e cila punon e sakrifikon përditë për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për qytetarët.

Ky reagim vjen pas një interviste të një ish-efektivi policie. Klodian Xhaferri tha sot për Top Channel se pagat e ulëta, mos marrja e dietave dhe shpërblimeve si dhe niveli i stresit janë ndër arsyet kryesore që punonjësit e policisë sapo përfundojnë stazhin 5-vjeçar pas përfundimit të akademisë japin dorëheqjen. Fillimisht dorëheqjet masive të efektivëve për shkak të kushteve të punës u denoncuan nga gazetari Artan Hoxha dhe u përforcuan nga kryedemokrati Sali Berisha. Vetë kryeministri Edi Rama, e ciloi një ‘gënjeshtër të ligë’.