Me qëllim kursimin e energjisë elektrike, kryeministri Rama nuk i kursen vërejtjet as për pronarët e bujtinave. Sot pasdite kreu i qeverisë ishte në një bujtinë në Peshkopi, por i tërhoqi vëmendjen pronarit, që të fikte dritat, pasi dita është me diell dhe nuk ka nevojë për të ndezur dritat.

I vendosur në siklet nga kryeministri Rama, të zotët e bujtinës u detyruan të fikin dritat, por i theksuan kreu të qeverisë se “i kemi ndezur për ju”.

Edi Rama: Vetëm një vërejtje kam unë, këto dritat ndez ditën me gjithë këtë diell…

Pronari i bujtinës: Për ju i kemi ndezur, sepse ne nuk i mbajmë!

Edi Rama: Fiki ato dritat se duhet me kursy energjinë. Ja njësoj nuk ka asnjë ndryshim. Fike dhe këtë këtu. E kemi lënë energjinë të lirë.

Kujtojmë që rritja e çmimit të energjisë do të nisë të aplikohet, duke nisur nga data 1 nëntor.

Kjo u komunikua nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili doli me vendimin për rritjen e çmimit për abonentët familjar për periudhën e mbetur të vitit, por pa specifikuar se sa do të jetë çmimi që do të aplikohet mbi fashën 800 kilovatë.

Ishte Kryeministri Rama, që pas njoftimit të ERE-s bëri të ditur se një kilovatë energji nuk do të kushtojë 42 lekë por 44 lekë, gati 5-fish më tepër. Por edhe kësaj here, ekziston mundësia që të ketë një shtyrje të vendimit, duke nxjerrë për të disatën herë jashtë loje Entin Rregullator të Energjisë.