Mblidhen në kohë rekord 600 mijë euro për 20-vjeçarin, Klevis Gjeluci, i cili ndodhet në koma si pasoj e një aksidenti që pësoi në 24 shtator të këtij viti.

Miqtë e tij ndërmorën iniciativën për të mbledhur fonde nga të gjithë shqiptarët që kishin mundësi, pasi familja nuk e përballon dot koston e operacionit jashtë vendit.

Kjo shumë e konsiderueshme u mblodh për 9 ditë falë kontributit të shqiptarëve. I riu u transportua me date 20 tetor në spitalin “Gemelli” të Romës, një nga më të mirët jo vetëm në Itali por edhe në Evropë e botë.

Sipas familjarëve, mjekët japin sinjale pozitive por pritet që të shihet ecuria e tij në vazhdimësi para se të kryhen ndërhyrje. Për momentin Klevisi ndodhet në reanimacion.

Ky është një nga ato raste qe falë solidarizimit u grumbullua shuma e duhur por si i Klevisit ka shume persona në nevojë dhe disa fatkeqësisht nuk ia dalin.

Halla e 20-vjeçarit, Romina Gjeluci, ishte sot në një lidhje “Skype” nga Italia me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku u shpreh shumë optimiste për shëndetin e nipit.

Gjatë intervistës me gazetaren e njohur, Erjona Rusi, halla falënderoi shokët e Klevisit që morën nismën për të bashkuar 600 mijë euro si dhe gjithë shqiptarët që kontribuan.

Romina Gjeluci gjithashtu tregoi se mjekët në Itali u kanë dhënë shumë shpresë dhe po kërkojnë kohë që të shohin se si Klevisi do reagojë në reanimacion.