Kanë qënë të shumta nismat dhe mbështetja e komunitetit të Shkodrës dhe më gjërë, për qytetarin shkodran Klevis Gjeluci, i cili i si rezultat i një aksidenti automobilistik po kalon një gjendje të rëndë dhe kritike për jeten.

Në vazhdën e mbështetjes për Klevisin ishte edhe ndeshja e futbollit që ‘‘Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër’’ me drejtues Lazër Matija dhe Shkodra Sport Event me drejtues Jetmir Podgorica, organizoi detikuar ish futbollistit të moshave të Vllaznisë dhe tifozit të zjarrtë të futbollit Klevis Gjeluci. Takimi në fjalë i luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” vuri përballë, ekipin e Veteranëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër dhe ekipin e Klubit të Futbollit të Veteranëve Republika’ të Prizrenit.

Për drejtuesin e Shkodra Sport Event, Jetmir Podgorica, aktiviteti në fjalë ishte sa njerëzor dhe emocionues, dhe që kishte për qëllim sensibilizimin në mbështetje të të riut Gjeluci që po lufton me jeten.Kjo ndeshje simbolike, e cila përfundoi me fitoren e veteranëve të futbollit Shkodër me rezultatin 4-0, shpreh qartë dashamirësinë, respektin, dhe ndjenjat njerëzore për raste të tilla, karakteristika këto të kombit shqiptar. Të ardhurat e mbledhura në këtë aktivitet do të shkojnë në familjen e Klevis Gjelucit, për t’iu gjetur pranë në këtë moment të vështirë.