14 maji do të jetë dita kur qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit lokal në vend. Data për zgjedhjet vendore të 2023 u dekretua nga presidenti i vendit Bajram Begaj, pas diskutimeve dhe arritjes së një konsensusi mes palëve politike.

Kreu i shtetit u bën thirrje palëve politike se tashmë është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional si dhe pjekuri politike e përgjegjegjshmëri qytetare.

Një mesazh të rëndësishëm, presidenti Begaj kishte edhe për palët politike, të cilat i nxit që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve, ndërsa u bën thirrje që të kenë alternativa politike serioze dhe konkurruese.

Kreu i Shtetit i fton votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cenojnë votën dhe vullnetin e lirë. Ndër të tjera, Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it.

‘Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare. Presidenti Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë. Kreu i Shtetit i fton votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cënojnë votën dhe vullnetin e lirë. Ndër të tjera, Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Me këtë rast, Presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike.’- theksohet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti Begaj i zhvilloi konsultimet për datën e zgjedhjeve në fillim të këtij muaji, ndërsa ftoi për bisedime të gjithë përfaqësuesit e spektrit politik, shumë prej të cilëve kërkuan pikërisht 14 majin si datë për zgjedhjet.

Por si po shkojnë palët drejt zgjedhjeve? Socialistët kanë deklaruar se do të hyjnë të vetëm në garë. Përballë tyre, opozita është në përpjekje të vazhdueshme për të dalë me një kandidat. Partitë aleate janë dakordësuar, por finalizimi i daljes me vetëm 1 emër do të varet nga negociatat mes dy grupeve në PD, me negociator Palokën e Bardhin. Partia e Lirisë e ka lënë në dorën e Berishës zgjedhjen e kandidatit të tyre për kryebashkiak. E vetmja parti e vogël që pritet të dalë e vetme në zgjedhje është PDIU, e cila pritet të garojë vetëm në disa bashki.