Nga Fieri kryeministri Edi Rama hodhi akuza sërish ndaj opozitë. Duke u ndalur tek denoncimet e opozitës, Rama theksoi se ata kanë dërguar në Kushtetuese ligjin për ndërtimet pa leje pasi kërkon konflikt dhe se ka marrë para.

“I është ofruar lekë i madh, është hapur thesi i rublave nga e para për të bërë prapë konflikt e për të na e vendosur neve dopjo gjashtën”, tha Kryeministri në një takim në qytetin e Fierit.

Në takimet e zhvilluara ditën e sotme me qytetarë, fermerë si edhe sipërmarrës, ai u shpreh se opozita është e gatshme të nxisë konflikt deri në gjakderdhje.

“Të thonë që në Shqipëri nuk jetohet më, në Shqipëri hahet vetëm plehra, kjo ushqehet edhe nga opozita e rublave, nga çorba e rublave. Nga ai grupim që i ka bërë shumë dëme Shqipërisë, por që tani po demaskohet komplet. Në një kohë kur e gjithë bota janë prekur drejtpërdrejt nga lufta, nga inflacioni i luftës. Ndërkohë që ne qeveria bën gjithçka mundet për ti lehtësuar njerëzit, këta janë shfaqur me egër së kurrë në një përpjekje skandaloze, të turpshme që shkel çdo kufi njerzillëku për të nxitur konflikt, rrëmujë, për të çuar deri në gjakderdhje. E patë ca ndodhi tani në fund. Vdiq një i ri për një arsye që është e shpjeguar qartësisht dhe sapo doli lajmi, pa pritur asnjë ekspertizë dhe rezultat, doli hiena e madhe dhe bashkë me të edhe hienat e vogla dhe filluan ta shqyenin kufomën në të televizor. Si mundet të përdhunohet një i vdekur dhe si mund të bëhet kjo në një kohë kur ky vend është nën presionin e një lufte. Ky është kulmi, dhe ata që i shkojnë prapa këtyre hienave duhet të pyesin vetëm se çfarë shqiptarësh janë këta. Si një instrument politike si mund të pretendojnë që kanë flamur, fe, atdhe dhe besim. Kujt më shumë sesa atij që i ka vënë bastin atje në Kremlin i interesojnë këto poshtërsi, askujt. I interesojnë shqiptareve që votojnë kundër nesh dhe PS, nuk ka sesi ti interesojë”, ka thënë Rama.

Gjithashtu ai ka paralajmëruar fermerët se do të kenë penalitete në rast se nuk punojnë tokat.

“Na tregojnë se në kaq pak vite, në krahasim me kaq shumë probleme të trashëguara, pamë që mund t’ja dalim bashkërisht. Sot kemi ende toka të papunuara, por s’duhet të falim asnjë metër katror tokë bujqësore. Ndaj i kam kërkuar deputetëve të ulen bashkë me ju e të punojnë me Ministrinë e Financave për të vënë një normë ligjore që kush nuk e punon tokën, nuk mund ta lërë djerrë dhe të rrijë rehat e të thotë “s’ta jap me qira, s’ja jap kujt ta punojë se dua ta rrethoj e ta mbaj me plehra. Këtë se lejon asnjë vend, se toka aq sa është e jotja, private, aq është dhe pasuri publike. S’mund të lihet toka bujqësore me plehra, djerrë”, ka thënë më tej kryeministri.