Shqiptarët ia dalin për Klevis Gjelucin, mblidhen në kohë rekord 600.000 mijë euro për 20 vjeçarin

Shqiptarët kanë treguar dhe njëherë se kur bëhen bashkë ia dalin. Për 9 ditë ata kanë arritur të mbledhin në kohë rekord 600 mijë eurot që duheshin për kurimin jashtë vendit të të riut Klevis Gjeluci, shkruan newsbomb.al.

Miqtë e tij ndërmorën iniciativën për të mbledhur fonde nga të gjithë shqiptarët që kishin mundësi, pasi familja nuk e përballonte dot koston e operacionit. 20 vjeçarit i nevojiteshin 600.000 euro t’u kuruara në Itali, atje ku njoftohet se Klevisi është nisur me autoambulancë speciale dy ditë më parë.

Djali nga Shkodra do të shtrohet në spitalin “Gemelli” të Romës, një nga më të mirët jo vetëm në Itali por edhe në Europë e botë. Mëngjesin e kësaj të shtune, siç shihet dhe në foto, 13 mijë e 700 shqiptarë, individë dhe biznese, kanë mbledhur plot 601,492 euro.

Klevis Gjeluci, parate e mbledhura deri tani – 22 tetor 2022

Klevis Gjeluci ka rënë në koma prej datës 27 shtator, si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor ndodhur në qytetin e Shkodrës. Familja e çoi në dy prej spitaleve më të mira në Shqipëri, por operacioni i ndërlikuar nuk mund të bëhej dhe 20 vjeçari duhet të dërgohej jashtë vendit.

Falë kontributit të mijëra shqiptarëve anë e mbanë botës, të cilët kanë dërguar para edhe fizikisht përmes personave të caktuar në shtëpinë e tij, beteja e fundit i takon Klevisit, që urojmë të dalë me sukses nga operacioni për t’u rikthyer shëndoshë e mirë në atdhe, pranë familjes dhe miqve.