‘Kapidan Gjon Marka Gjoni, një burrë i gdhendur, një copë në curr t’ë ashpër të racës sonë, që përfaqësoj traditën…’/ Fjala e profesor Ernest Koliqit, në vitin 1966

“Dera e Kapedanëve të Mirditës, në namë e në za në krejtë gadishullin ballkanik e tutje, qe një arkë e shugurume, ku u ruajtën ndër shekuj normat kanunore, d.m.th. esenca heroike-patriarkore, me palcë të çmueshëm njerzuer, esencë që e shpëtoi rodinë e shqiptarit, nga zvetnimi e çoroditja. Ai visar dokesh ishte dikur paji i mbarë kombit, mandej kushtet e egra të zotnimit aziatik, erdhën tue ia ngushtue qarkun e ndikimit, dhe tue e kufizue në malet e Shqipnisë.

Fryma e vjetër e ligjeve dokësore, ku ma pak e ku ma shumë, lëviti i rrahi pajada, në gjak të shqiptarit, e shtrime në krejt tokën e atdheut, dhe ngjeti kudo, qi njerz robi shqiptar u shpërngulën. Studiues e hulumtues të huej, në Kanun të Malevet, hetuen substancën ma të kulluet, të fisit arbnuer dhe patentet e fisnikërisë, së ti shumë të lashtë indoeuropiane. Kapidan Gjon Marka Gjoni, burrë i gdhendur, një copë në curr t’ashpër, të landës sonë raciale, përfaqësoj traditën autoktone, më të pikatun. Në te u mishnue shembullisht burrnia e njerzia e rracës”

Jeta dhe veprimtaria kombëtare e Kapidan Gjon Marka Gjonit, deri në vitin 1939

Kapidan Gjoni lindi në Orosh të Mirditës, me 28 gusht të vitit 1888. I ati, Kapidan Marka Gjoni, ishte nip i Lleshit të Zi, që pat emër të madh në Shqipëri e në Ballkan, kah gjysma e parë e shekullit XIX-të. Sipas zakonit që ruhet djalë pas djali, në derë te Gjomarkajvet, sa është gjallë prindi, të bijve u përket me u shtrue vullnesës atnore, dhe me i’a ndjekë urdhrin si ushtar.

Të dielën e Pashkëve me 1925, vdiq Kapidan Marka Gjoni, pas një jete plotë peripeci, përshkruar edhe nga Faik Konica, në të përkohshmen “Albania”. I zanun befas prej Turkoshakëve, ashtu si kushëriri Prenk Bib Doda, e si Hodo Beg Kopliku, u internue në Anadoll. Malli i atdheut e shporonte aq fort në atë mërgim saqë, vendosi me u kthye, dalë ku të dalë. Pa ditur gjuhë, e pa mjete, iku e u përshkue nëpër Rusi, Poloni, Austri, e arriti në Mirditë, ku autoritetet Otomane nuk guxuan qe ta trazojnë më. Me 1914-ën ra me mirditas në Durrës, për të mbrojtur Mbretin Wied.

Ngjitas me kosovarët e Isa Boletinit, djemtë e Mirditës, ranë në luftime të rrepta kundër kryengritësve qe donin ta ndalojnë mëkëmbjen e një shteti shqiptar, të pavarun. Humbjet qenë të mëdha. Pasi i vdiq i ati, Kapidan Gjoni, i doli prija e i’u ngarkua përgjegjësia me e udhëheqë Mirditën, sipas tagrit historik të derës së Gjomarkut.

Ai u përvesh zyrës së vet, me atë pasuri mendimesh të qarta e me vendosmërinë, që përherë e dalloi, kur e lypë në raste të ndryshme ndërhyrja e tij, si gjyqtar gojdhanun e i pranuem vullnetarisht nga populli, e ne datsh si prijës luftarak, i caktuem nga e drejta kanunore. Edhe pse i ri, në moshën 37 vjeçare, por i burrnuem, Kapidan Gjon Marka Gjoni u shqua në naltësinë e misionit të vet.

Në vitin 1926, i rrethuem prej krerëve, e bani Zabitnamën e pare (Pajtimin e Gjaqeve). E përshkoi Mirditën bajrak për bajrak, e katund për katund, duke ndreqë ngatërresa e duke pajtue gjaqe. Ne vitin 1926, Kapidan Gjon Marka Gjoni, i ka pajtue 360 gjaqe e varrë (plagë). Në vitin 1928, pasi që e fitoi një autoritet shumë të lartë, Kapidan Gjoni e bëri edhe pajtimin e dytë të gjaqeve. Edhe këtë herë ka pajtue 260 gjaqe e varrë. Kështu Mirdita u bë krahina më e qetë në Veri.

Me këtë veprimtari, kapedan Gjonit aq shumë i’u rrit fama saqë shumë veprimtarë shqiptarë dhe të huaj vraponin që ta takonin. Në vitin 1928, Kapedan Gjon Marka Gjoni shkoi në Romë, ku u prit me nderime të larta nga Qeveria Italiane, dhe nga Papa.

Kapedan Gjon Marka Gjoni në bisedim me Zogu, (atëhere President i Shqipërisë), paraqiti gjendjen e keqe të Mirditës në pikëpamje ekonomike. Zogu iu përgjigj: “Zotni Kapedan, e njoh gjendjen e Mirditës por, ju bëtë mirë që me shtruat këtë problem’- dhe shtoi: ‘që me sot Mirdita përjashtohet prej çdo takse shtetërore dhe kanuni si ligj tradicional, në të cilin janë mbështetur e drejtue malet tona, ka me qenë i lirë në Mirditë”.

Kur Ahmet Zogu u proklamue Mbret në vitin 1928, gjithë paria e maleve të Veriut, shkuen në Tiranë me e përgëzue, ndër ta edhe Kapidan Gjon Marka Gjoni, me krerët e Mirditës. Aty malësorët shfaqen problemin e prijës, por Zogu para të gjithëve e thirri kapidan Gjon Marka Gjonin në audiencë, të gjithë të tjerët më vonë.

Kur emëroi oficerët rezervë, të gjithë me grada majorë e më poshtë, kapedan Gjon Marka Gjonin, e emëroi Nënkolonel, grada më e larta. Zogu e çmonte miqësinë që ka patur dera e Gjomarkut, me Shpinë e Zogollit, prandaj këto nderime, t’ue dashtë me e shlye të keqën që i bani Mirditës në vjetin 1921, mendoi e vendosi me rehatue Mirditën, t’ue nderue në mënyrë të veçantë Kapedan Gjon Marka Gjonin.

Kur kapedan Gjon Marka Gjoni, qe i sigurt se italianët po hyjnë në Shqipëri, por pa e ditë datën, në mars te vitit 1939, ka shkue në Tiranë e në audiencë, që ka patur prej Mbretit Zog, i ka thënë këto fjalë: ”Madhni, Italianët po hyjnë në Shqipni. Ndreqi punët (Relatat) me Romën, se more në qafë veten, Shqipninë dhe ne. Na kallëzo ç’ka të bajmë”.

Zogu i është përgjegjë: “Po zoti Kapedan, Ministrat i kam keq me Italinë, por do t’i rregulloj. Ju shkoni i qetë e pritni fjalën time”. Nuk zgjati, e Zogu në mefshtësinë më të madhe, kaloi në Greqi. Por kur Zogu ka mbërri në Larisa të Greqisë, ka mbledhë suitën e vet me i dhënë udhëzime. Aty ka deklarue: ”Nji mik të vetëm kishim pasë, Kapedanin e Mirditës Gjon Marka Gjonin, i cili më ka kallxue se italianët po hyjnë në Shqipni”.

Pasi italianët zaptuen Shqipërinë, Konti Çiano, ministër i Jashtëm i Italisë erdhi në Tiranë. Ai kërkoi qe një delegacion shqiptarësh të shkonte në Romë, me i dorëzue Mbretit të Italisë, Vittorio Emanuele III-të, Kunorën e Skënderbeut. Delegacioni i Shkodrës mblidhet në Tiranë me shqyrtue problemin. Për me i njoftë kërkesat e Italisë, delegacioni i Shkodrës, ngarkon Kapedan Gjon Marka Gjonin, te shkoj me bisedue me Kontin Çiano, me përkthyes Patër Anton Harapi, O.F.M.

Në bisedë e sipër, Konti Çiano, kërkoi që Kapidan Gjon Marka Gjoni, në krye të delegacionit të Shkodrës, te shkojë në Romë me i ofrue Kunorën e Skënderbeut, Vittorio Emanuele III-të. Kapidan Gjon Marka Gjoni, i është përgjigj: “Shqipninë e pushtuet e unë Kunorën e Skënderbeut nuk e kapërcej përtej Adriatikut, veç lidhë kambësh e duarsh”.

E Kapidan Gjon Marka Gjoni, nuk ka shkue në Romë, që t’ia dërgojë Kunorën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Mbretit te Italisë, Vittorio Emanuele III-të. Kjo vërteton qartë se, Kapidan Gjon Marka Gjoni, nuk i ka bërë hile as Mbretit dhe as Shqipërisë.

Kapidan Gjon Marka Gjoni, ishte edhe reformator i madh i Kanunit. Ai në vitin 1937 (shif ‘Hylli i Dritës’, korrik-gusht 1937; f. 417-18), mblodhi e kryesoi në Mirditë një kuvend krerësh e pleqsh, për të sjellë ndryshime në disa zakone tepër anakronike. Sekretar në atë mbledhje, qe Don Zef Skana, famullitar i Fandit.

Ndodhën pranë si pjesëtar nderi më të drejtë zani, Abati, Imzot Gjini, dhe prefekti i Shkodrës. Në shumë raste tjera, Kapidani pa bërë ndryshime, dha një interpretim të pikave të Kanunit, që përkonte me frymën e kohërave të reja. Si të gjithë udhëheqësit mendjesgjuet, ai i jepte rëndësi shpirtit jo germës së ligjit dokësues.

Rezistenca e organizuar antikomuniste e Kapidan Gjonit me djemtë e, tij dhe mërgimi i detyruar

Duke parë se nuk ka rrugë tjetër dhe se komunistët nuk njohin kurrfarë gjuhe të dialogut kombëtar, Kapidan Gjon Marka Gjoni, së bashku me djemtë e tij: Markun, Ndoun dhe Lleshin, do ta fillojë rezistencën kombëtare. Kështu, që në vitin 1944, Kapidan Mark Gjon Marku, me përkrahjen e plotë te babait, Kapidan Gjon Marka Gjonit, themeloi “Grupin Nacional-Independent” në Shkodër, nëpërmjet të cilit zhvilloi veprimtarinë e vet politike.

Pas një qëndrese të pamposhtur që e zhvilluan tre djemtë e Kapidan Gjon Marka Gjonit, Marku, Ndou dhe Lleshi, te përkrahur nga Kapidan Gjoni, dhe duke parë se forcat komuniste forcoheshin, Kapidan Mark Gjon Marku, pa i treguar askujt, kishte marrë vendim që ai se bashku me vëllain e tretë, Kapidan Llesh Gjon Markun, të udhëheq luftën për Shqipërinë Etnike, ndërsa për babain e tij, Kapidan Gjonin dhe vëllain e dytë, Kapidan Ndue Gjon Markun, kishte marrë vendime qe të dalin në Perëndim, për ta vazhduar luftën antikomuniste, që në këtë mënyrë, mos të shuhet plotësisht trashëgimia e derës së Gjomarkut.

Kapidan Marku, i tregoi vendimin e tij dhe pas shumë tentimeve, arriti që t’ia mbushi mendjen Kapidan Gjon Marka Gjonit, që ta lejë Mirditën e tij të dashur, nën përcjellje të djalit të dytë, politologut Kapidan Ndue Gjon Marku. Në Kastrat, me 27 Nanduer 1944, tue shtërngue dorën njëri-tjetrit e, tue i marrë hallallin e fundit, u ndanë përgjithmonë:

Kapidan Gjon Marka Gjoni, i shoqëruar nga djali i tij, Kapidan Ndue Gjon Marku, nga të dy djemtë tjerë, Marku dhe Lleshi, të cilët qëndruan në Shqipëri, duke luftuar kundër komunizmit, deri sa ranë heroikisht, njëri me 14 Qershor 1946, ndërsa tjetri me 9 gusht të vitit 1947. Takimi i Kapidan Gjon Marka Gjonit së bashku me profesor Ernest Koliqin, bëri që të përgatitet plani që te formohet një organizatë politike në mërgim.

Këtë organizatë e pagëzuan me emrin “Blloku Kombëtar Independent”, i cili u formua me 6 nëntor të vitit 1946 në Romë. Meqë për “Bllokun Kombëtar Independent”, kemi dhënë shënime të qarta, në një shkrim të mëhershëm botuar për Kapidan Ndue Gjon Markun, këtu në këtë shkrim do të ndalemi në përshkrimin që i japin bashkëkohësit, të cilët e njohën dhe vepruan me Kapidan Gjon Marka Gjonin.

Profesor Ernest Koliqi, në një shkrim të botuar në “Shejzat” (nr. 5-6 1966), për Kapidan Gjonin, do të shkruajë: ”Na të mërguemit që jetuam afër Kapidanit, edhe patëm fatin ta takojmë po thuash për ditë, me vjet rresht, do të kemi parasysh fytyrën e tij me viza bujare të holla e të mprehta, ashtu si i shifshim kur, rrethue dashunisht prej nesh, merrte pjesë në bisedime tona.

Nuk i binte fjala në tokë. Vërejtjet që bante të matuna e të urta, zdritshin kuvendimin. Përvoja e fitueme gjatë një jete së vështirë plot tronditje të papritura, mëlmente bisedën gjithsaherë që ai ndërhynte. Nji dell i lehtë humori, qi nuk u mungon burrave të maleve, një kokërr krypë shpotie pa thepa therës, i’a bante të shijshëm të folunit, kur merrte me tregue ndodhina e store të vjetra. Kishte një mbamendje të çuditshme. Vargje kujtimesh në lidhje me ngjarjet Shqiptare, shtjelloheshin në kallëzim të tij, si rrokela filmash ndër ditë që ishte në qejf”.

Ndërkaq, profesor Zef Valentini, në një shkrim te botuar po ashtu në “Shejzat” me titull “Pèr nji Flamur të palisun”, kur flet për Kapidan Gjonin, thotë: ”Kujtimi i veprimit të Dukagjinit të vjetër në fushë të Kanunit, mund të jetë ai që i dha Gjomarkut atë kompetencë, si me thanë orakulare, në punë kanunore. Kapidan Gjoni, si e njofta unë,- vazhdon profesor Zef Valentini, – atë kompetencë e kishte dhe e shoqnote me nji kompetencë dijenore, të cilën veç nuk e shite aspak, por e qite pothue me marre, si nji gja e vorfën, nji gja personale, që kush dijte ma tepër, mund të ja qite poshtë.

Pata fatin me e pëvetë shumë herë në punë Kanuni, e me nxjerrë prej tij njoftime të shumta e të çmueshme, të cilat mund të gjinden nëpër botimet e mija, shenjue me emën të tij. Por edhe u gëzova shumë herë, kur përgjigjet e tia, nuk duelën mu si i pritsha unë, e më lanë shtangë, ose në dyshim, a e kishte marrë vesh mirë pëvetën teme, a kishte përgjegjë me mendë e me dije, a por habitas. Mirë, por mbrapa tue studiue ma thellë, kam gjetë gadi përherë se ishin pikëpamje tjera, që unë nuk i kisha gjetë, e që i nepshin një masë e nji drejtpeshim, ma të pranushëm diktateve të Kanunit.

Sjellja e ati farë Zotnisë m’u duk gjithmonë sjellje fisnike por, miqësore e një princi konstitucionar, asi princash demokratë, që edhe sot në këtë botë republikane, moderne, janë kënaqësia e njierzvet të vet. Sakt mund te thuhej, – përfundon këtë shkrim profesor Zef Valentini, – e s’besoj se mund të mohohet se dera e Gjomarkut, edhe pse ka patur kundërshtimet dhe ashpërsitë e veta, edhe pse nuk munguan as gabime as edhe gjaqe në historinë e vështirë e të gjatë të saj, është unjisue me popullsinë e vet, e ka gjykue, e ka pri, e ka përfaqësua edhe ka mbajt prej saj, porsi zemra kryet e Komunitetit Mirdituer, shtylla e flamurit të tij”./Memorie.al