94 deputetë votuan dje pro ligjit për hapjen e dosjeve.

Nga 140 deputetë në sallë, vetëm 95 morën pjesë në votim, ku një abstenoi. 45 të tjerë refuzuan të votonin.

Mes emrave që kanë votuar pro janë Edi Rama, Anila Denaj, Elisa Spiropali, Olta Xhaçka, Belinda Balluku, Pandeli Majko, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Damian Gjiknuri.

Ndërkohë ka abstenuar për hapjen e dosjeve deputeti Nasip Naço.

Mbrëmjen e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 94 vota pro dhe 1 abstenim disa amendamente në ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit, ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991.

Në të njëjtën kohë, sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në sitën e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”.

Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit, pasi doli një dosje ku pretendohej se një person me iniciale I.M, që dyshohet se është ish-presidenti Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.