Familjarët e 27-vjeçarit, Lumturi Zeqo të vrarë gjatë një sherri në Londër kanë shprehur dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të të riut.

Familjarët u shprehen të tronditur nga humbja e papritur e 27-vjeçarit. Kushërira e tij, Violeta Uka ka thënë se Lumi ishte njeri i guximshëm dhe se nuk nguroi asnjë sekondë të sakrifikojë veten për të shpëtuar shokun e tij.

“Ai hyri në mes të sherrit për të ndarë shokun e tij dhe ata e vranë atë. Ai ishte një njeri i guximshëm dhe i mirë, prandaj ndërhyri për të shpëtuar shokun e tij,” ka deklaruar kushërira e tij Violeta Uka.

I riu vdiq në vendin e ngjarjes, pranë një lokali në Leytonstone ndërsa një mik i tij rreth të 20-tave mbeti i plagosur. Lumturi Zeqja jetonte në Londër për 13 vjet dhe kushërira e tij shkruan se ai ishte një njeri punëtor.

“Na morën Lumin në moshën më të bukur. Nuk ka fjalë për ta ngushëlluar familjen,” tha ajo.

Deri më tani asnjë arrestim nuk është bërë për vrasjen e shqiptarit edhe pse policia thotë se po heton në pista të ndryshme.