Një vdekje ende e veshur me mister që mund ta zbardhin vetëm kamerat e sigurisë së bizneseve pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Gazetari Igli Çelmeta ka vizituar sot vendin në rrugën “Lord Bajron” në Laprakë ku u shoqërua 32-vjeçari Lear Kurti pas disa minuta ndjekje nga policia.

“Rreth 7-8 minuta ndjekje nga efektivët e Komisartit numër 3. Pas ndjekjes ai ka ndaluar dhe është shoqëruar. Në vendngjarje ka pasur dhe dëshmitarë, të cilët kanë thënë se një patrullë e ka shoqëruar të riun pasi kanë qëndruar për 10 minuta në vendin e ngjarjes. Më pas ai është dërguar në komisariat ku ka ndërruar jetë.

Rruga ka disa biznese të cilat kanë kamera sigurie që kanë filmuar dinamikën e ngjarjes. Pamjet e kamerave janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe po bëhet këqyrja. Ndërkohë qytetarët që ndodheshin në kohën e ngjarjes nuk janë marrë si dëshmitarë nga policia. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të komisariatit numër 3 dhe janë marrë në pyetje dhe mjekët e spitalit të Traumës”, raportoi gazetari Çelmeta.