TIRANË– Ky vit i ri akademik duket se është i destinuar të jetë problematik, por edhe shqetësues për shifrat e regjistruara deri më tani. Degët më problematike duket se janë ato të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku gjithsej janë regjistruar 105 studentë gjithsej. Fizika ka vetëm 10 studentë, kimia ka 12, matematika ka 25 studentë dhe biologjia 55 studentë.

Ky fenomen ka shqetësuar edhe astrofizikante Mimoza Hafizi, e cila gjithashtu ka komentuar gjithashtu lidhur me situatën e krijuar nga mungesa e të interesuarve. 

“Në paralelen tjetër ndodhen Shkencat e Natyrës, e veçanërisht Fizika, shkenca e shkencave, krenaria e intelektit njerëzor, simboli i përpjekjes për pushtimin e universit nga ne, qenia e brishtë që ka marrë guximin t’i dalë përpara të Plotfuqishmit. Kjo degë studimi, e ndërtuar me standardet më të larta, me fizikanë të diplomuar që kanë bërë emër shkencor brenda dhe jashtë vendit, me mësues të diplomuar që kujtohen me respekt nga breza të tërë, këtë vit jubilar të 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, do të frekuentohet vetëm nga 10 studentë të rinj. E pra, Fizika ka qenë dega nismëtare e krijimit të këtij universiteti. Dekada të tëra, fizika bënte të ëndërronin me qindra të rinj.

Sot, VETËM 10 STUDENTË! Nesër ndoshta asnjë fizikan e asnjë mësues fizike, për të mësuar nxënësit në shkolla. Braktisja e saj, braktisja e Shkencave të Natyrës, është treguesi më ulëritës se atdheut tonë fatkeqësisht i kanë dalë tepër njerëzit e dijes. Vendet e punës për studentët e diplomuar me standarde të larta në këto fusha janë limituar skajshëm. Perspektivat për ta janë thuajse të mbyllura. E papritur këto dy histori paralele po ndërthuren në këtë vjeshtë, në fillim të vitit të ri akademik,”-shkruan ajo në rrjetet e saj sociale. 

Regjistrimet dhe te dhënat paraprake për degët më të preferuara duket se janë degët e Mjekësisë, shkencave kompjuterike dhe ato të inxhienerisë. Këto degë janë të pasuara nga Ekonomiku dhe Juridiku. Raundi i fundit i aplikimeve për fakultet do të zgjasë nga 19 deri më 21 tetor.

“Në raundin e dytë janë regjistruar rreth 4000 maturantë nga 6000 që aplikuan, që do të thotë se 2000 maturantë që nuk u regjistruan kanë mundësi të riaplikojnë për raundin e tretë plus këtyre do ti shtohen 1300 maturantë nga vitet e kaluara që kanë aplikuar me formularin A1Z. Degët e mjekësisë, mjekësi e përgjithshme, stomatologji, infermieri dhe inxhinieritë patën një ecuri shumë të mirë, veçanërisht tekonologjia e informacionit, por dhe degë që lidhen me ndërtimin”, u shpreh drejtori i RASH, Arjan Xhelaj.

Po ashtu, edhe degët peshkim apo zootekni rrezikojnë mbylljen pasi të regjistruar janë vetëm 6 studentë.