Kryeministri Edi Rama ka intensifikuar takimet me strukturat e Partisë Socialiste për përgatitjet për zgjedhjet vendore.

Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri, ka raportuar se pa kaluar 3 javë nga mbledhja e fundit e Kryesisë, kryeministri Rama vendosi që të mbledhë sërish mëngjesin e ditës së sotme të gjithë anëtarët e Kryesisë në selinë rozë.

Sipas gazetares kryesocialisti ka folur për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm në mbledhjen që zgjati mbi 1 orë. Vetë Kryeministri Rama u paraqit që herët në mëngjes ditën e sotme në selinë rozë.

“Më pas ka publikuar edhe një video në rrjetet sociale ku tregon se ku do të jetë fokusi i kësaj mbledhjeje që janë pikërisht zgjedhjet për kryebashkiakë dhe se PS tashmë zyrtarisht i ka ndezur motorët për fushatën zgjedhore. Rama ka kërkuar më herët nga të gjithë drejtuesit e qarqeve që të bëjnë një raport të punës së të gjithë kryebashkiakëve në mënyrë që të vendosin se cilët do të jenë ata që do të përjashtohen nga mundësia për të rikandiduar, dhe ata të cilëve do t’u jepet një shans i dytë”, tha Omeri.

Kujtojmë që më herët Rama ka takuar edhe kryebashkiakët për të bërë një bilanc të punës së tyre./tvklan.al