Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për shërbimet publike online! Kështu thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital. Kryeministri Edi Rama ka publikuar tabelat dhe iu përgjigjet të gjithë kritikëve që sipas tij hedhin baltë dhe nxijnë çdo ditë shërbimet online.

Rama thotë se kushdo që flet përçart për sulmin kibernetik të Iranit mbi Shqipërinë harron 2 fakte: “Jemi sulmuar se jemi zhvilluar dhe sulmi ka dështuar për shkak se kemi investuar”.

Duke e vënë theksin tek puna e qeverisë që i ka dhënë fund pritjes në sportele për orë me radhë, Rama thotë se ende duhet të bëhet më shumë punë për luftën kundër korrupsionit, por tashmë e rëndësishme është se 95% e shërbimeve janë online.

“Këto tabela janë nxjerr nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare. Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online, një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet që nxijnë përditë nga balta e gjysëm të vërtetave, sajesave, akuzave, sharjeve e banaliteteve gjithëfarësoj

Por më e rëndësishme akoma, një lajm për të vërtetën e madhe dhe të mohuar masivisht, se Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës

Ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për forcimin e administratës, po ama për 1225 shërbime publike (95% e gjithë shërbimeve) vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri para disa vitesh as mund të imagjinoheshin, nga fundi i pusit ku e nisëm rrugën e #RevolucionitDigjital

*Shumëkush flet përçart për sulmin kibernetik mbi Shqipërinë, duke harruar dy fakte të thjeshta, e para se jemi sulmuar pikërisht ngaqë jemi zhvilluar (po të ishim akoma me sportele në shi e në diell, s’do na sulmonin dot) dhe e dyta, se sulmi ka dështuar pikërisht sepse kemi investuar si duhet, duke bërë shumë me pak, e duke u renditur ndër vendet më të zhvilluara për shërbimet publike online”, shkroi Rama.

Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike nga Irani në një kohë të shkurtër brenda pak muajve! Sulmi i parë kibernetik ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Ndërsa më 10 shtator, u sulmua sistemi TIMS. Pas sulmit më 15 korrik, Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi.