6 persona u angazhuan për të ekzekutuar 19-vjeçarin Erjon Xhenjo në Shkodër pak javë më parë. Pavarësisht se vetëm njëri qëlloi mbi të riun që po konsumonte një kafe në një lokal pranë banesës së tij. Në dokumentacionin e siguruar nga “Ora Neës” rezulton se dy agresorë janë afruar në lokalin ku i riu po ndiqte ndeshjen e futbollit, Vllaznia-Kastrioti ndërsa të tjerët kanë pasur role të ndryshme.

Po ashtu, sipas dosjes hetimore, mësohet se në atentat kanë marrë pjesë: I. H, A.B, I. B, D. B dhe Xh. C. Asnjëri prej ende nuk është arrestuar për vrasjen që deri më tani mendohet se ka ndodhur për hakmarrje.

Njëri nga dëshmitarët J.S, që kanë qenë shumë afër me viktimën, i ka treguar policisë se:

”…më kujtohet se ka ardhur një motor në të cilin ishin dy persona të maskuar edhe me skafandra. Pasagjeri, që ka qenë mbrapa ishte me një armë në dorë që mesa më kujtohet, ishte pistolete edhe është ulur nga motori. Personi tjetër, ka pritur në rrugë me motor ndezur. Ai që kishte armën pa folur asgjë, është afruar rreth një metër nga djali që ishte në tavolinën ngjitur edhe e ka qëlluar në drejtim të tij. Mu duk se gjuajtja e parë ka qenë në shpinë. Pastaj kam ulur kokën edhe më tej kam dalë me vrap në rrugë, e kam shkuar te hyrja e apartamentit tim dhe ika në shtëpi. Siç e theksova, të dy kokën e kanë pasur të mbuluar me skafandër edhe me maskë të pjesa e fytyrës. Të veshur kanë qenë me rroba të errëta në sportive. Mendoj se të dy kanë qenë të gjatë rreth 185 cm…”

Por çfarë krimi mund të ketë kryer një 19-vjeçar që të ekzekutohet në mes të qytetit?

Në materialin hetimor evidentohet fakti se personi, që ka qëlluar është Bajram Çekorja, djali i Ismet Çekorjes, i vrarë mesditën e 2 shtatorit 2022 në lagjen e tij “Kiras”. Viktima e atentatit tjetër që pasoi, Erjon Xhenje, është djali i xhaxhait të Shkëlzen Xhenjes, i cili është shpallur në kërkim së bashku me Astmer Bilalin për vrasjen e Ismet Çekorjas. Kështu që mendohet se vrasjen e ka kryer Bajrami për të marrë hak për vrasjen e të atit, kjo edhe pse ka dyshime që Xhenje ka pasur dijeni për atentatin e ndodhur, por ky detaj ende nuk është konfirmuar nga Policia.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga të dyja ngjarjet, ende nuk ka asnjë shoqëruar nga ana e Policisë së Shkodrës lidhur me vrasjet që tronditën qytetin dhe nisën një kalvar të ri hakmarrjeje.