Data shënonte 4 tetor kur kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkoi me një valixhe të zezë në zyrën e kryedemokratit, Sali Berisha. Nuk qëndroi shumë, vetëm 30 minuta, por duket se i pasur të qarta temat e diskutimit. Ndërkohë që nga presidenti Barjam Begaj pritet ende nuk ka vendosur një datë për zgjedhjet e ardhshme lokale, por duket se opozita i ka idetë e qarta. Kur brenda Partisë Demokratike ende ka dyshime se si do të zhvillohet bashkëpunimi, me Partinë e Lirisë gjërat janë bërë të qarta.

Për numrin një të Bashkisë do të dalin të gjithë me një kandidat të përbashkët (gjithmonë marrë parasysh se PD do të bashkohet për zgjedhjet e ardhshme), por i njëjti “fat” nuk i pret Këshillat Bashkiakë. Disa ditë më parë, ish-presidenti Ilir Meta ka deklaruar ditën e sotme se nuk është përgjegjësi e tij zgjedhja e emrave për të kandiduar në zgjedhjet vendore 2023, por se do të mbështesë të gjithë të zgjedhurit nga “Primaret”. Me kushtin që të jenë të pastra dhe perfekte. Meta tha se objektivi i tij dhe i forcës së tij politike, janë Këshillat Bashkiakë. Qëllimi: Do që t’i kthejnë në parlamente lokale!

“Do jetë më i rëndësishëm parlamenti bashkiak i Tiranës se sa ky i 25 prillit, do dëgjohet fuqishëm zëri i qytetarëve të Tiranës. Do shpëtojnë përgjithmonë nga arroganca shtypja, intimidimi, nga gjobat pafund që marrin çdo ditë e gjithë ky represion,”-tha ndër të tjera Meta në daljen e tij të fundit televizive.

Por këtë vendim duket se e ka marrë edhe një parti aleate e PD-së. Kreu i Partisë Ambientaliste Agrare, Agron Duka duket se ka të njëjtin qëllim për Këshillat Bashkiake. Në rastin më të mirë, do mbështetesin kandidatin e përbashkët, në rastin më të keq do të zgjedhin që të mospërfshihen. Por ndërkohë tjetër do të veprohet edhe nga PAA për Këshillat Bashkiakë. Edhe ata duan anëtarët e tyre.

Agron Duka për Këshillet Bashkiake: Theksi kryesor i Partive aleante është Këshilli Bashkiak. Ne e kemi thënë, edhe pse kemi oferta të dalim me lista të përbashkëta me parti të ndryshme, këtë radhë ne do të dalim veç. Sepse u bëmë 6 vjet që nuk kemi kandiduar asnjë herë me siglën e PAA. Nami të bëhet edhe sikur asnjë mos të marrim, ne do garojmë të vetëm. Sa i përket zonave të lira pastaj, kjo varet nëse do të bëhen Primaret. Kjo është mënyra e vetme e mundshme.

Ndërsa dhe Berisha duket se ka rënë dakord me aleatët e tij dhe kushtet e tyre, me kushtin e tij të vetëm për t’u bashkuar kundër kryeministrit Edi Rama.

“Nëse do ketë kandidatë të Partisë së Lirisë, do përcaktohet bashkia. Meta erdhi në zyrën time dhe ishte shumë pragmatik. Është me tezën që sa herë kemi kërkuar bashki të mëdha jemi tradhtuar nga partitë e mëdha. Për socialistët e kishte të drejtë në fakt. Ai kishte ndër mend të bëntë fushatë fortë për këshillat bashkiakë. Një ide, racionale. Do kemi një marrëveshje. Me partitë e tjera të opozitës do të diskutojmë për primaret. Nuk janë kundër tyre por kanë një formë tjetër testimi, duan poll-et. Nuk jam kundër tyre vetëm se janë të kushtueshme,”-kështu tha Berisha për palën që përfaqëson duke u shfaqur tërësisht në “paqe” me zgjedhjet e aleatëve.

Mesa duket shumë shpejt do të ketë garë dhe “hesapet” janë bërë e ndarë nga të gjitha palët. Bashkë në një front, por të ndarë më pas për ato vendet e vogla, që në fund të ditës do të duhet që të mbajnë kartonin në dorë në 61 bashkitë e vendit, ose dhe më shumë nëse para zgjedhjeve kalon “Reforma Territoriale”. Se sa ky vendim do të vlejë për të fuqizuar opozitën, do ta shohim një ditë pas zgjedhjeve, por deri më tani kjo duket se është formula e këtyre zgjedhjeve. Bashkë por të ndarë!