Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

Agron Bala, një mik i madh, një botë e madhe, një shpirt i ndritur djaloshar, që nuk është më midis nesh në këtë jetë, një buzëqeshje e pashterrshme që nuk do të shuhet kurrë, nuk do të zbehet kurrë, në jetë të jetëve.

Miku ynë i shtrenjtë Agron Bala u nda nga jeta duke na lënë në pikëllim të thellë familjen, miqtë e tij të shumtë, kolegët, studentët, botën mediatike dhe intelektuale shqiptare, opinionin e gjerë në mbarë kombin tone.

Kur na tregoi për sëmundjen, në fillim të vitit të shkuar, ne u shokuam dhe prej asaj kohe ne nuk i rreshtëm lutjet tona të përbashkët drejtuar Zotit që njeriu ynë i dashur, aq i çmuar për të gjithë ne, të triumfonte ndaj sëmundjes së rëndë dhe t’i kthehej jetës me gjithë gjallërinë e tij, energjitë e tij, humorin e tij.

Agroni ishte një shpirt që ndriti deri në fund në këtë botën tonë shqiptare kaq të vuajtur e kaq të trazuar, në këtë jetën tone kaq të traumatizuar, në këtë tunelin tone të pafund ku ndodhemi kaq gjatë. Agroni ishte një shpirt i pastër dhe i kulluar ashtu si i krijon Zoti dhe i tillë kishte mbetur.

Epiteti dyfjalësh ‘shpirt njeriu’ i shkonte sa rrallëkujt tjetër në këtë botë mikut tonë Agron Bala.

Para dy ditësh komunikuam me Val Balën dhe na dha lajmin e gëzzar se operacioni kishte shkuar shumë mirë dhe ne u gëzuam si fëmijë, duke pritur që Agroni të na përshëndeste nga Facebook-u, e të na thoshte ne e miqve të tij të panumërt, e kalova këtë pro0vë, se provat për njerëzit janë, sidomos për njerëzit e mirë, si Kolegu ynë Agron Bala.

Kur papritmas sot lexuam lajmin e kobshëm. E si na tradhtove kështu Miku ynë i shtrenjtë! Vdekja jote na preu në besë!

Ne dhe auditori të lexonim çdo ditë, ti një njeri shembullor, i edukuar, korrekt nuk fyeje askënd edhe kur bënin komente, ashtu si e bëjmë ne shqiptarët, dhe me tolerancën tënde që të dallonte aq shumë, përpiqeshe që ta bindje atë që partia ia kishte mbushur kokën gjithë dogma.

Ti Agron Bala mbete djaloshi i viteve ’92, i shpresave të brezit tonë për të ndryshuar Shqipërinë dhe nuk u konformove kurrë me të pavërtetën. Në këtë lukuni gazetarësh të integruar në klane-klienteliste, ti mbete i pastër Miku jonë, Kolegu jonë, Vëllai jonë dhe tek ne përfaqësoje atë pjesën e pastër të Shqipërisë e prandaj të deshnim me sinqeritet, dhe pasi na tregove për sëmundjen interesoheshim për ty në heshtje, i luteshim Zotit për ty në heshtje, të donim ty vëlla në heshtje. Për çdo ditë vizitonim faqen tënde, dhe kur shihnim adrenalinën e komenteve të tua, ne thoshim se Goni po e kalon këtë sfidë!

Ti na tradhtove Agron! Ne të prisnim të ktheheshe nga Torino, me operacionin e kryer me sukses.  “Tradhtia” jote ishte e padashje, o Miku, Kolegu dhe vëllai ynë, sepse ti e deshe jetën dhe me mirësinë tënde e meritoje jetën, ti meritoje të jetoje 200 vjet Miku ynë. Të shihje, fëmijët e fëmijëve të fëmijëve të Jonës tënde, t’i gëzonit ata bashkë me Irmën dhe familjen tuaj.

Ne jemi të shokuar Agron Miku. Si qenka jeta kështu, një lodër kaq mizore si të fikësh e të ndezësh një dritë, kur shpirti yt është i pakufishëm si drita.

Tani ne lutemi së bashku që shpirti i ndritur i mikut tone të shtrenjtë Agron Bala të ndritë në Parajsë, atje ku Agroni shkoi tejet parakohshëm, duke mbyllur përfundimisht një udhëtim që ai e vazhdonte me aq optimizëm, me aq besim, me aq shpresë.

Agroni ishte një gazetar i studios televizive aq sa ishte edhe një dokumentarist i kundondodhur i terrenit nga detet, tek Alpet, nga qytetet tek malet, nga Labëria deri në Mitrovicë, tek Shkodra e tij që e donte me gjithë shpirt. E njihte në çdo qelizë jetën e shoqërisë sonë ashtu siç e njihte në çdo pëllëmbë atdheun tonë, ashtu siç e njihte në çdo frymëmarrje kombin tone, në atdhe apo në mërgim. E vështirë t’i vijë mediatikës shqiptare një gazetar që i ndjek proceset bashkëkohore aq drejtpërdrejt dhe aq hap pas hapi si Agron Bala. Duke shprehur të vërtetën.

Agroni ishte një intelektual i shquar, një mendimtar brilant, një mendje e madhe, e kthjellët, me një takt komunikimi shembullor, tejet të pashoq, një model i formulimit dhe shqiptimit të mendimit pa arritur kurrë në fyerje ndaj mendimit të ndryshëm apo të kundërt, me një fisnikëri të rrallë shqiptare.

Agroni ishte një individualitet letrar me përvojë dhe profil të konsoliduar në prozën e shkurtër dhe të gjatë, me një vepër që e pasuronte nëpërmjet dimensionit të dijetarit, profesorit dhe gazetarit.

Rrallëkush mund të manifestojë me aq bukuri, lartësi dhe vendosmeri si Agroni solidaritetin intelektual, solidaritetin professional, solidaritetin njerëzor me të gjithë ata kolegë, miq, të njohur, me të gjithë ata bashkënisedues të panumërt që kishte Agron Bala në Facebook. Të gjithëve Agron Bala, pa përtesë dhe pa rezerve iu kushtonte përkrahjen e tij dhe mbështetjen e tij kundrejt padrejtësive të panumërta që veçanërisht shqiptarëve iu ndodhin aq shumë.

Një njeri me një botë aq të madhe, me horizontin plot vizione, rrallëkush si Agroni ishte plot me projekte, plot me ide, plot me kurajo, trimëri, guxim dhe shpresë që ato do t’i përmbushte. Largimi nga jeta e ndau përfundimisht edhe prej këtyre projekteve mikun tonë.

Sa e pabesë qënka vdekja. Zot ti që e ke krijuar harmoninë, përse e ke krijuar vdekjen me dhimbjen e pafund që i ngjan shembjes të një mali. Jo, shembja e një mali është mikroskopike përpara dhimbjes njerëzore për Mikun tonë, Kolegun tonë, Gazetarin që iku, duke lënë aq gjëra përgjysëm aq të pathëna, sepse në fillim bota ndreqet me fjalë e pastaj me vepra.

Bir i akademikut të shquar Vehbi Bala, Agroni, krenohej me të drejtë për babain e tij, nga i cili trashëgonte përveç dashurisë e përkushtimit për dijen edhe tiparet e veçante burrërore. Agroni krenohej me qytetin e lindjes, Shkodërlocen, aq sa krenohej me prejardhjen e tij nga Balajt e Thethit të Dukagjinit, aq sa krenohej me Tiranën e tij ku ai kishte ndërtuar jetën. Agroni krenohej me Jonën, vajzën e tij, fëmijë të vetëm, krenohej me shoqen e jetës Irmën, krenohej me familjen e tij, me njerëzit e tij, me miqtë e tij. Me Agronin do të krenohen gjithmonë Shkodra e tij e dashur, Dukagjini I tij kreshnik, Tirana e tij e shtrenjtë, do të krenohet pafundësisht bija e tij, zonja e tij, motrat e tij, do të krenohen miqtë, kolegët, të njohurit.

E pamundur për të pajtohemi se fjalia e fundit e Agron Balës është ajo e 9 janarit 2016:

“E shkruar ne hyrje te spitalit San Giovanni Bosco – Torino!”

E pamundur të pajtohemi se Agron Balën, mikun tonë të shtrenjtë, mikun e madh të VOAL-it, ku i botuam mendimet e tij aq brilante deri në fund të jetës së tij të pastër dhe me dinjitet, nuk do ta kemi më këtu mes nesh.

Sepse Agron Bala ia kishte bërë vetes vendin në këtë tokë, si personalitet dhe si njeri!