Sot pedagogët do të rikthehen në shesh për të protestuar për rritjen e pagave. Në një tjetër njoftim, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë bën me dije se rritja e pagës prej 7%, e njoftuar nga kryeministri Edi Rama është e papërfillshme. Sindikata ka ftuar kolegët e universiteteve, që të marrin pjesë në protestë, e cila do të nisë në orën 11:00 pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.

NJOFTIMI I SINDIKATËS:

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) është e vendosur të vijojë mbështetjen e kërkesave të drejtuara Kryeministrit, Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe Rektorëve të IAL-ve publike edhe pas premtimeve të shpallura publikisht nga Kryeministri për rritjen e pagave të stafit akademik të IAL-ve publike deri në masën 7 % nga Buxheti i Shtetit.

SPUSH e quan të papranueshme këtë shkallë rritje, e cila nuk indekson as inflacionin e këtij viti e jo më atë të akumuluar dhe të pa indeksuar ndër vite. Ndërkohë, ne insistojmë në rritjen 30 % këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm si parakusht për të venë sado pak në rrugën e zgjidhjes çështjen e trajtimit dinjitoz të punonjësve të universiteteve, përfshi stafin akademik dhe atë ndihmës. Kurse, kontributin me 8 % nga ana e Universiteteve e konsiderojmë të pamundur në kushtet aktuale të keq financimit të tyre si dhe reduktimit të tarifave dhe numrit të studentëve.

Mendimi i SPUSH është i qartë: – Tarifat e studentëve tu kthehen prapë atyre në shërbime, e jo të përdoren për paga personeli. Për të shprehur vendosmërinë tonë për realizimin e kërkesave të peticionit, ditën e Premte, më datën 14 Tetor, ora 11:00, të gjithë bashkë duhet të kërkojmë një vlerësim dinjitoz të punës sonë. Ftojmë kolegët e universiteteve në mbarë Shqipërinë të mbështesin me pjesëmarrje Protestën e datës 14 Tetor 2022, ora 11.00, para Universitetit të Arteve Tiranë. Mbrojtja e të drejtave të çdo pjesëmarrësi në protestë garantohet nga ligji. E drejta për të protestuar është pjesë e të drejtave kolektive të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Sistemet demokratike bazohen tek të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut.

Pedagogët kanë protestuar edhe më herët për rritjen e pagave. Ata kanë parajmëruar bojkot të procesit mësimor dhe mos shkruajen në universitete më 17 Tetor nëse qeveria nuk do të marrë masa për të plotësuar kërkesat e tyre.