Policia e Shkodrës ka njoftuar sot rezultate e një operacioni të madh antidrogë, ku arrestuan 24 persona dhe u sekuestruan gati 2 kuintalë hashash i gatshëm. Gazetari Artan Hoxha thotë se të arrestuarat janë gra nga Kombinati i Tiranës, që kishin shkruar për të qethur bimët e kanabisit.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, gazetari i kronikës tha se këto gra shkonin me furgon nga Tirana në Shkodër për të nxjerrë bukën e gojës, duke qethur “boçet” e hashashit.

“Gratë që u kapën në Bardhaj të Shkodrës ishin nga Kombinati. Ishin për të marrë ditën e punës, kanë shkuar me furgon të shkretat. Është korrur kanabisi, duhen këto gratë që ti qethin. Këto gra janë nga Larushku i Tiranës, nga Kombinati, nga Kamza, nga Fushë Kruja.

Këto kanë qenë dhe vitin e kaluar, por tani kanë shkuar deri në Shkodër. Ne sot kemi kapur këto gratë që ishin për bukën e gojës”, u shpreh Artan Hoxha, për operacionin e finalizuar sot nga Policia e Shkodrës.