rfani, një prej të ftuarve në “Shije Shtëpie” në Tv Klan është i apasionuar pas sportit dhe jetës aktive. Dikur ishte i aktivizuar në sporte të ndryshme dhe skuadra sportive, derisa iu desh të shkëputej profesionalisht.

Kjo nuk ia zbehu aspak pasionin dhe vijoi që të ndiqte aktivitete e të ishte në lëvizje. Si pjesë e kësaj, 20 vite më parë,ai vendosi që së bashku me djalin e madh të merrte të njëjtën rrugë që kishte përshkuar i ati dikur për të mbërritur me biçikletë në Ulqin. Ndaj, në vitin 2002 ai niset për ta kryer rrugëtimin, pa e ditur se e keqja i kishte zënë pritë pranë një ure.

Irfan: Kalojmë kufirin, kalojmë doganën dhe për ata që e dinë në Krezë është një pjerrësi shumë e madhe ku po i jepja më shpejt biçikletës se sa duhet. Kam ecur shumë shpejt, ndoshta duhet të kem qenë 70-80 km/h. Më mbrapa më thoshte djali që “je zhdukur, nuk e di se ç’ka ndodhur me ty”. As unë nuk e di si ishte kjo punë, ndoshta edhe e kam humbur gjatë ecjes në biçkletë. Për ata që e dinë vendin, pa shkuar te ura e Krezës , me këtë shpejtësi që kisha marrë unë ishte shumë e vështirë për t’u ndalur.

Marr fillimisht krahun e djathtë, përplasem në disa mure, jam i çarë komplet në shpatull. Merr biçikleta, më nxjerr në krahun e majtë dhe rrokullisem në shkëmbinj, megjithatë ashtu çohem. Në kanalin e rrugës të ujërave të bardha, aty këmba e djathtë më futet në kanal, këmba e majtë hipën në asfalt dhe në këtë moment kujtoj si jam rrëzuar. Kur e kam parë më pas atë vend, aty ku jam rrëzuar, një gur si kurriz breshke, aty ka rënë këmba ime e djathtë.

Kaloi një makinë, nuk ndaloi të më merrte ajo makinë e rastit. Vjen djali më vonë, më sheh të mbuluar me gjak, fëmijë i vogël, nis e qan. Mos qaj, i them, se do mbërrijmë tani në Ulqin dhe do lahem, shpëlahem e rregullohem. Vjen një makinë tjetër më merr, unë nis të humbas ndjenjat nga derdhja e gjakut, dalja e kockës, gjurit dhe këmba e djathtë ishte copë-copë. Kam pasur dy brinjë dhe dy duart e thyera.

Katerina Trungu: Shkove në spital?

Irfan: Më çojnë në spital. Në 4 spitale, fillimisht spitali i parë “nuk është për mua, nxirre jashtë, çoje në spital tjetër”, po kështu edhe i dyti. Në spitalin e Tivarit nisin të më mjekojnë, të më qepin, kisha një të çarë shumë të madhe që dukej tërësisht nga brenda.

Katerina Trungu: Çfarë të thonë për këmbën?

Irfan: Doktorët aty më thonë që “është për t’u këputur kjo këmbë, nuk bën, do shkosh në Risan”.

Në spitalin në Risan, i cili ishte i specializuar në raste të tilla, i thonë sërish për ta prerë këmbën. Këtë vendim e merr mjeku më i mirë i spitalit, ndërsa Irfani ishte në gjendje pa ndjenja, thjesht mund të dëgjonte e kuptonte çfarë ndodhte përreth. Mjeku kishte dhënë urdhër për ta dërguar menjëherë në sallën e operacionit për amputimin dhe ndodh një e papritur.

“Me një sforco shumë të madhe i them jo mos ma këpusni”, kujton Irfani mes lotësh.

Irfan: Atëherë barela me trupin tim ishte në korridor për në sallën e operacionit, doktori thotë “ktheje edhe njëherë se dua të bëj një provë”. Doktori ishte në prag të pensionit atë kohë. “E kam dëgjuar diku, a ma ka thënë një mësues imi a e kam lexuar diku unë nuk e di, por dua të bëj një provë sepse me çerekun tënd, i kemi këputur të gjitha këmbët”. Fati im doli me sukses prova që bëri doktori dhe thotë “këmba shpëtoi, por duhen shumë para për të hyrë në operacion”.

Katerina Trungu: Ka kushtuar atëherë?

Irfan: Ka kushtuar, por fatmirësisht për mua unë nuk kam paguar asnjë lek atje./tvklan.al