Justina Aliaj: Kisha dhimbje sepse isha e dënuar… ja çka më thoshin fëmijët

Së fundi Justina Aliaj vjen në një intervistë të veçantë ku foli edhe për jetën përtej skenës, për pasionet e saj dhe shumë të pathëna të një karriere të gjatë e plot suksese.

“Në gjithçka që ka ndodhur rreth jetës sime, e vetmja gjë në të cilën kam gjetur prehje është se kam thënë populli më do”, kështu e nis rrëfimin e saj plot emocione në emisionin “Rreze Dielli’’ artistja Justina Aliaj.

Ajo vjen në një intervistë të veçantë ku foli edhe për jetën përtej skenës, për pasionet e saj dhe shumë të pathëna të një karriere të gjatë e plot suksese. Megjithatë si çdo njeri, edhe artistja Justina Aliaj është ndjerë shpesh e zhgënjyer. Nndërsa flet për këtë, ajo shprehet se ndër to është mënyra se si ka ndryshuar arti sot.

“Zhgënjimi çalon gjithmonë me thënë tek anët gati-gati ordinere. Si me thënë, dua që të shkoj në studio me regjistruar por janë disa çmime që ne, brezi jonë nuk i njohin dhe nuk i disponojmë. Janë shumë të shtrenjta” tha ajo.

Ndërsa flet për artistin, për dashurinë dhe për të shkuarën e saj artistike nuk mund të mos ndalet tek armiqtë, xhelozia apo ndodhitë që i ka ndodhur gjatë karrierës.

“Artisti duhet ta njoh dashurinë thellësisht por në fund fare duhet të mësohet të jetojë pa të. Është ambicia, është xhelozia mundimi i madh nëse s’më del dot përball artistikisht. Mua më ka ndodhur me këngën time ‘ Vendlindje’  mos e këndo se do të këndohet në festivalin e pranverës. Dhe i kam shikuar me çudi e kam thënë këngën time?! Nuk është pronë e imja, le ta këndojë e gjithë bota por ti nuk më ndalon të këndoj këngën time. Edhe këtë ma kanë bërë”.

Gjatë intervistës moderatorja Androniki Kolka, e pyet nëse janë të vërteta lajmet se këtë vit do të marr pjesë në festivalin e fundvitit në RTSH.

Po është e vërtetë. Por le t’ia lëmë kohës’ përgjigjet ajo.

A është sfidë për ty?, e pyet më tej moderatorja.

“Unë kjo jam, kjo kam qenë dhe kjo do të jemë. Mbase është sfidë për të tjerët. Është kënaqësi për mua” thotë më tej ajo.

E pyetur për pengjet që i kanë mbetur gjatë karrierës së saj, të zhvilluar në një kohë të vështirë në Shqipëri, ajo thotë se një ditë do të rrëfejë gjithçka në një libër.

Po, unë mendoj që do t’i shpalos një ditë në libër, haptas fare gjithçka që ka ndodhur, edhe me emra. Gjatë gjithë kohës shoh që eksperienca  më ka tregu që jeta është luftë. Nuk e di pse luftë, në fakt jeta është kaq e thjeshtë, ne e komplikojmë. Me qen një I paaftë, them ska gjë zoti e fali kështu. Por me qenë një i paaftë dhe i keq, ai ndërhyn seriozisht në karrierë.

Ndërsa rrëfen edhe për pengun më të madh, rolin që nuk mund të luante si Zhulieta.

E kam pikë në zemër që nuk kam interpretuar Zhulietën.

Pjesëmarrja në filmin ‘Thirrja’ ku Justina kishte edhe rolin kryesor, ndodhi që të ishte një kthesë në karrierën e saj. E përjashtuan nga fillmi në moshën 22-vjeçare duke lënë siç thotë ajo plagë të mëdha në zemrën e artistes që nuk bën dot pa skenën.

“U mpiva, e dija që kishte pasoja të tjera, nuk do të shoh me teatër, skenë. Sigurisht në shtëpi u lëkundën pozicionet sepse preket e gjithë familja. Dhe ndodhi ajo që vërtet u mënjanova. Unë e vuaja sepse ishte e pikasur, ishte njollë në ballë. Je hequr nga filmi. Të ka hequr qeveria. Isha në kulmin e moshës, 22 vjeçe”.

Kohë të tjera, ku çdo gjë ishte ndryshe madje edhe raportet miqësore. Si e mban mend Justina Aliaj këtë kohë, për sa i përket miqësive dhe xhelozive.

“Ka pasur një çiltërsi, nuk ka pasur sforco në bisedat tona, në miqësitë tona. Ka qenë me të vërtet bukur. Kishte edhe xhelozi por si duket e mira e mundte të keqen, ti mund të thuash gjithcka por ajo është e zonja me dal në skenë”.

Ajo rrëfeu plot emocione edhe për pasionet e saj të veçanta si: dashurinë e madhe për breshkat, elefantët dhe notin.

“Notin e dua shumë, jam më e sigurtë në ujë se në tokë. Rri deri në dy tre orë në ujë”.

Përpos një artiste e madhe, Justina Aliaj është edhe nënë e një djali dhe vajze të cilët i ka rritur me shumë sakrifica dhe dashuri. Ndërsa kujton disa momente tepër prekëse me fëmijët, të cilët e morën vesh shumë vonë se nëna e tyre ishte këngëtare, për shkak se ishte e dënuar. Ja si e rrëfen ajo këtë moment:

“Kisha dhimbje sepse isha e dënuar dhe s’mund ta përmendja, shkoja çdo ditë punëtore në punë me mbush normën, me fitu lekë me i sjell në shtëpi. Por kur e morën vesh ishte shumë vonë dhe mund të ishin 6-7 vjeç, më thanë ‘Nënë ti këndon’ unë i thash ‘ po moj nënë nganjëherë’ unë nuk këndoja hiç atëherë. Mirëpo ndodhi që më nxorrën në radio, duke këndu. Fëmijët e kishin dëgjuar, unë isha në punë, punëtore. Dhe e kishin fik radion, dhe kur vij nga puna më thojnë ‘ Hajde nënë se ke me këndu ti’ . Ka ik zëri por do të vij prapë i thoja”./shqiptarja.com