Muajt e fundit policia ka zbuluar disa depo armatimi. Garazhe të përshtatura si strehë të armëve të zjarrit, deri edhe silenciatorë. Disa prej të arrestuarve janë nën hetim për lidhje me grupet kriminale, jo vetëm si anëtarë, por edhe si furnizues. Por përpos këtij zinxhiri që funksionon fare mirë, ka të tjerë që muajt e fundit po përfundojnë në pranga, pasi arma u është zbuluar rastësisht nga një patrullë policie.

Ose siç ndodhi me 32-vjeçarin D.Z, i cili pasi rrahu të shoqen, ajo telefonoi në sallën operative. Gruaja nuk tregoi që ishte keqtrajtuar, por se i shoqi mbante një armë dhe të gjithë familjarët kishin frikë prej tij. Në polici, burri që punon në një servis makinash në Kombinat, ia hodhi fajin bashkëshortes se ajo kishte krijuar një skenar-grackë, por dëshmia ishte e pabesueshme, përderisa ajo kishte shenja të dukshme dhune që tregonin se kryefamiljari ishte agresiv.

E.V ishte duke dalë xhiro, ditën kur një patrullë policie i ngriti tabelën për të ndaluar. 23 vjeç, së paku pa asnjë problem me ligjin, ai nuk dinte si ta shpjegonte se përse i duhej një pistoletë tip “Bereta”.

Ai më pas e habiti gjyqtaren e masës të sigurisë në Durrës, kur tha se “shokët e mi mbajnë armë, mbase ata e kanë harruar”. Por i riu nuk dha asnjë detaj tjetër dhe avokati i tij që kërkoi lirinë me arsyetimin se 23-vjeçari është student, deklaroi në gjykatë justifikime shtesë: Duhet të mbajmë parasysh që të rinjtë sot mbajnë pistoleta për modë, mjafton të shikoni në internet.

Kjo deklaratë e avokatit, pavarësisht se ra ndesh me qëndrimin e klientit të tij, në përfundim tregoi një të vërtetë.

Të rinjtë përherë me më shumë po konstatohen me pistoleta dhe armë zjarri pa leje.

E njëjta histori u përsërit në të njëjtën ditë edhe në Tiranë për E.B, 29 vjeç nga fshati Vakuf, tanimë edhe ai nën akuzë për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, neni 287/1 i Kodit Penal.

Policia i thotë Gazetasi.al se si përherë ata kapen nga postblloqe të rastësishme, apo oficerë të policisë, menjëherë sapo lënë një ambient publik. Ergesi gjendej në afërsi të një lokali në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë.

“U mor informacion në rrugë operative, se në afërsi të restorantit ‘V… .’ lëviznin persona të armatosur. U ndalua E.B, i cili gjendej nën shoqërinë e nënës së tij, dy kushërinjve dhe shokut të ngushtë”, shkruan policia e kryeqytetit në proces-verbalin që iu tregua Gazetasi.al.

Nga kontrolli personal në çantën marsup, policia i gjeti pistoletën, një armë tip ‘Bereta’ me numër ‘e 45’. Në të, oficerët konstatuan edhe 15 fishekë luftarakë kalibër 9 mm. Për policinë kjo do të thoshte se ata duhet të shkonin në banesat e të gjithë të shoqëruarve, përfshi nënën, shokët dhe kushërinjtë e 29-vjeçarit. Por tek të tjerët nuk u konstatua asgjë e paligjshme. Policia përshkruan dëshmitë e secilit, që edhe në këtë rast bëjnë të paditurin.

Në fillim, C.B., i tregon oficerëve se kishte udhëtuar drejt Tiranës së bashku me nënën e të arrestuarit.

“Nuk kisha dijeni që ai mbante armë zjarri me vete”, – deklaron nga ana tjetër dëshmitarja në akt-konstatimin policor.

“Ne drekuam në një lokal, – shprehet e ëma e të riut, – dhe shoku i dha tim biri një çantë supi, të cilën, pasi policia e kontrolloi, ishte brenda saj një pistoletë”, – mbron të arrestuarin gruaja.

Megjithatë, policia shprehet se palët nuk janë të sinqerta. Ajo i thotë Gazetasi.al se i dyshuari është djali i Arben Beqirajt, i vrarë tre vjet më parë në qytetin e Vlorës për një kalë dhe një ngjarje që dërgoi në qeli më pas njërin nga të dyshuarit, i identifikuar si Eduart Xhezo. Për hakmarrje pak muaj më parë, dyshohet se Eduart Xhezos, aktualisht në burg, iu vra në një atentat mafioz i vëllai Hakim Xhezo dhe së bashku me të edhe Geno Lena.

Por, ndërsa palët thonë për armatosjen e 29-vjeçarit se e mbante për t’u ruajtur, i shoqëruari tjetër, shok me të riun, e konfirmon këtë gjë. Policia i thotë Gazetasi.al se ai ka thënë që “nuk kam dijeni për pistoletën, por e kam parë gjatë kësaj kohe me armë dhe kishte arsyetimin se kishte probleme”.

Por I.P., sipas burimeve policore, ka refuzuar të japë detaje se për çfarë problemesh bëhej fjalë, ndaj thekson policia se “edhe ai do të hetohet për mos kallëzim krimi”. Policia i thotë Gazetasi.al, se çdo ditë përfundojnë nën arrest 4 deri në pesë shtetas, që të gjithë mosha të reja, të cilët gjenden me pistoleta kryesisht të llojit “Bereta”.

Disa prej tyre, duke parë profilin respektiv, nuk janë problematikë evidenton një zyrtar policie. Ky fenomen po ndeshet çdo ditë, shton zyrtari i policisë dhe shumë prej të rinjve e mohojnë dijeninë e armës, deri aty sa pretendojnë se është armë për në muze, apo armë trofe.

Por historia më e çuditshme, është ajo e S.K., emigrant në Greqi. Ai erdhi në Paskuqan, ku ka familjen me rastin e pushimeve të verës. Në një prej ditëve, patrulla e repartit “Shqiponja” i kërkon të ndalojë. Në bagazhin e makinës, atij iu gjet një armë e llojit pushkë.

Deklarata e tij ishte e pabesueshme. “Po pastroja shtëpinë dhe pranë disa sendeve të vjetra pashë një pushkë. E mora dhe e futa në makinë. Isha në dilemë ta hidhja në lumë apo ta çoja në komisariat. Kështu që ende nuk e kisha ndarë mendjen kur më ndalën policët“, – dëshmoi burri që pavarësisht justifikimeve përfundoi në paraburgim./GazetaSi