Hetimet për të hedhur dritë mbi fatin e Ervis Martinajt, të zhdukur që prej fillimit të gushtit, duket se po përplasin institucionet e drejtësisë.

Prokuroria e Kurbinit ka kërkuar lejimin e kontrollit të disa banesave në Durrës, por Gjykata e ka rrëzuar.

Gjykata e Kurbinit ka argumentuar rrëzimin e kërkesës me faktin se sipas saj nuk ka prova bindëse. Sipas BW, kërkesa për kontrollin e banesave u pranua nga gjykata e Apelit Tiranë.

Tre ditë më parë RENEA ka zhvilluar kontrolle në Shijak.

Prokuroria dhe Policia e Shtetit kanë ngecur në një pikë, që është zona e Shijakut për të gjetur shumë të kërkuarin Ervis Martinaj, të cilin familja e ka denoncuar të zhdukur.

Në Shijak ai është zhdukur pa adresë dhe nuk dihet asgjë për të, nëse është rrëmbyer dhe mbahet i gjallë apo personat që ai ka takuar atë natë e kanë ekzekutuar në vend.

Shpresat e familjes, për gjetjen e biznesmenit gjallë janë zbehur. Sipas burimeve të policisë, Martinaj mbrëmjen e 8 gushtit, ka dalë rreth orës 18:30 nga ambientet e një pallati, teksa silueta e tij është filmuar nga një kamera sigurie.

Martinaj shfaqet me syze dielli, tuta të shkurtra dhe me shapka.

Teksa bën një lëvizje të shkurtër në zonë, shfaqet një automjet tip “Audi A8”, i njëjti mjet që shfaqet ne 5 gusht në Hotel Adriatik në Durrës.

Pastaj Martinaj hipën në sediljen e parë dhe makina largohet në drejtim të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, duke hyrë në rrugën e Laprakës./Abcnews.al/