Si një rrjedhë e vetëdijshme ndjesish, ku nuk shquan shpirtin me trupin, ku nuk ekziston kurrfarë vështirësie për të gjetur udhën, rrekem të kuptoj cfarë të ndricon ty? Prej nga buron ajo ngjizje e qëndrueshme e asaj drite që ta mban shpirtin aq të sojshëm? Dua të ulem e ta vështroj me orë të gjata pa i thënë asnjë fjalë, duke e kundruar me endje të madhe me dëshirën të jem ëndërr e të zhytem në atë cepin emocional që vetëm ti ja njeh vetes.

Cfarë të ndricon ty?
Ajo derë e hapur që lëshon dritë e mbërrin drejt e tek unë, ajo përsiatje e brendshme që shpërfaqet sapo ti vjen, mungesa e qëllimshme e kornizës, epifania e përvecme e jotja! Shkëlqimi që mbart jo vetëm ajo që shoh, po përtej saj, ajo që ti me bindje jep, arena jote e pazhurmë, si një fitues i vetëm që në triumf ka shoqërues miliona yje dhe ashtu si në një skenë me përulje njeh dhe gëzon unin tënd.

Shëtitjet e gjalla të gjithë mendimeve që ti i nxjerr prej vetes dhe i zbret të prekshme në tokë, dhimbjen dhe frikën që nata i bën të bymehen e ti i shuan me dritë, hapat e vegjël me atë zhurmë që thuajse cimbisin në shqisa aq të mprehta sa e imja, ti që nuk e jeton kënaqësinë si dicka që vjetërsohet, ti që ashtu si unë, je thyer, prandaj bën dritë!

Ti që realitetin nuk e manipulon as nuk e blen të paketuar si një reklamë që të ofrohet.
Ti që nuk e varfëron kurrë fjalën e nuk e përzien shpirtin me masën që simptomë ka vec zhurmën.
Ti që nuk luan teatër e që mbetesh i patundur në skenën që na indoktrinon edhe mendimet më të dashura.
Ti që nuk ke asnjë formë stisjeje dhe je kaq i emërtueshëm pa u tkurrur nga gjithcka që të rrethon.
Ti që eliminon cdo fjalë të panevojshme nga gjuha dhe e zhvesh nga mbetjet duke zvogëluar kështu hapësirën ndërmjet e duke mbërritur tek unë kështu i paqtë, vec me një përqafim, duke dhënë gjithë botën aty.
Ti që ashtu si unë, je thyer, prandaj bën dritë. / Nga Desantila Vatnikaj /