Aksion masiv , 5 në pranga dhe 2 në kërkim. Sekuestrohen para, automjete dhe mijëra euro

Pesë persona janë vënë në pranga të policisë dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në Krujë për kultivim të lëndëve narkotike. Policia bën me dije se janë sekuestruar 5.3 kg kanabis, që ishte gati për treg, ndërsa ka asgjësuar mbi 1353 bimë të mbjella në zona të pyllëzuara.

Sipas Policisë, të arrestuarit janë Artan Elezaj, Afmet Elezaj, Sokol Xaka, Përparim Kasa, Gëzim Lloti, ndërsa janë shpallur në kërkim Muharrem Xaka, Bilal Afmeti. Gjatë aksionit janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, mijëra euro, katër automjete, 9 telefona dhe një armë gjahu.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i finalizimit të këtij megaoperacioni sekuestrohen 5.3 kg kanabis të gatshme për shitje, si dhe janë evidentuar e asgjësuar gjatë periudhës hetimore, 1353 bimë kanabisi, të kultivuara në zona të pyllëzuara.

Vihen në pranga 5 shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre. Sekuestrohen gjithashtu, 2 450 000 lekë, 4000 euro, 9 aparate celulare, 4 automjete dhe 1 armë gjahu.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, si rezultat i kontrolleve të pandërprera të territorit, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në zona të pyllëzuara, si dhe pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjuqësor Krujë, kanë organizuar dhe finalizuar megaoperacioni policor antikanabis të koduar “Survey”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

-A. E., 35 vjeç, A. E., 41 vjeç ( vëllezër), S. X., 24 vjeç, G. Ll., 36 vjeç dhe P. K., 47 vjeç.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit M. X., 26 vjeç (vëllai i shtetasit të arrestuar S. X.) dhe B. A., 37 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në kohë dhe në ambiente të hapura të ndryshme, 1353 bimë narkotike, në zona të pyllëzuara të fshatit Bruz Mal, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar përgjatë periudhës hetimore. Në vijim të kontrolleve në kuadër të operacionit “Survey”, në banesën e shtetasit të arrestuar G. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan 5.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e gatshme për shitje. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 450 000 lekë, 4000 euro, 9 aparate celulare, 4 automjete dhe 1 armë gjahu, të dyshuara të përfituara apo të përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijon puna për kapjen e shtetasve M. X. dhe B. A. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.