Primaret, Berisha dakordësi me Metën: Do të mbështesë kandidatët tanë dhe do të përqendrohet në listat e këshillave

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, konferencën e përjavshme me gazetarët e zhvilloi në Gjirokastër këtë të premte. Kreu i selisë blu u pyet se si do të përfshihen aleatët në zgjedhje. Kryedemokrati tha se është rënë dakord që Partia e Lirisë të mbështesë kandidatët e Partisë Demokratike dhe do të përqendrohet në listat e këshillave bashkiakë.

Pyetje: Si do të përfshihen aleatët në primare?

Sali Berisha: Është rënë dakord! Zoti Meta mendon se ai do të përqendrohet totalisht, pothuajse, do të mbështesë kandidatët tanë dhe do përqendrohet në listat e këshillave. Me aleatët e tjerë është rënë dakord që pranojnë testimin e primareve por kërkojnë një testim shtesë. Ne nuk kemi kundërshtim kërkojmë që të përfshihen njerëzit më me reputacion.

Berisha u shpreh se “çdo përpjekje e Ramës për të parandaluar fitoren e opozitës dhe rikthimin e saj në pushtet do të dështojë në mënyrën më të plotë”.

Po ashtu, Berisha bëri me dije se nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi është telefonuar vetë nga zyrtarë të Presidencës për t’u takuar me Presidentin Bajram Begaj në kuadër të konsultimeve për datën e zgjedhjeve.

“Çdo variant tjetër është gënjeshtër, por shumë e zakonshme për Taulant Ballën”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi se PD-ja nuk do të heqë dorë nga primaret.

“Çdo deputet i PD ka të drejtë të propozojë, ka të drejtë të kandidojë për cilëndo bashki të vendit. Ne nga primaret nuk heqim dorë. Është kategorike, është rithemelimi ynë dhe nuk heqim dorë”, tha Berisha./tvklan.al