Vllaznia humbi 1-2 me Partizanin për javën e shtatë në Superligë. Ndeshja që u luajt pasditen e së premtes në “Loro Boriçi” u përmbys nga “Demat”, që shkojmë me 15 pikë në krye të klasifikimit. Goli i Hoxhaj për vendasit në minutën e 38 u përmbys nga Da Silva në të 66 dhe Skuka 86 minutë. Pas ndeshjes kanë folur edhe dy trajnerët, Josa i Vllaznisë dhe Colella i Partizanit.

Trajneri Giovanni Colella tregoi mes të tjerave se skuadra e tij vuajti një tronditje nga derbi, ndërsa përmbysja do sjellë moral të lartë për vijimin e garës në Superligë.

“Çdo fitore është e rëndësishme, por të fitosh me përmbysje do të thotë që po rritemi. Jam i lumtur për djemtë se kanë kaluar një tronditje në derbi. Mbrojtja me tre është diçka që po e mendoja me kohë dhe vetëm po prisja momentin e duhur. Të shohim, është një mundësi. Në derbi me shumë mundësi emocionet na vunë poashtë thuajse të gjithëve, për disa nga këta lojtarë ishte hera e parë që luante derbi. Sot më duket se kemi bërë një ndeshje të një skuadre më të pjekur, ndaj mendoj se ndeshje si derbi do të na shërbejnë shumë edhe në të ardhmen. Sipas meje skuadra është e mirë, kam lojtarë të mirë, por duhet vetëm të punojmë e rritemi pak. Mendoj se sot humbja në derbi na ka ndihmuar që të bëjmë një hap para dhe të rritemi”, tha Colella.

Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa e cilësoi të mirë pjesën e parë me skuadrën e tij që pati disa raste për të gjetur një gol tjetër. Për teknikun skuadra nuk ishte e lodhur por vuajti presionin e kundërshtarit.

“Nuk mund të themi që skuadra u mbrojt, u kënaq. Interpretuam një pjesë të parë të mirë. Edhe Partizani bëri lojën që meritoi të bënte. Patëm momente të mira në pjesën e parë. Sidomos fitimi i dyluftimeve. Nuk ishte problem lodhje. Partizani sulmoi që në pjesën e dytë. Ne nuk patëm mbështetjen e duhur për të dalë nga presioni i Partizanit. Siç e humbëm në rastin e golit të dytë. Partizani ngulmoi, doli me 3 mbrojtës dhe 2 anësorë. Aty duhet të ishim më të kujdesshëm, në momentin që do të luhej topi në qendër.

Lodhja? Nuk është problem fizik. Ne nuk qëndruam në pritje. Skuadra u mundua të dilte 2-3 herë përpara. Problemi ishte te koordinimi i lëvizje, kur topi ishte te mbrojtësit tanë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Kemi Kupën njëherë që ajo është e vështirë. Të mbarojmë Kupën dhe më pas të mendojmë për Laçin”, tha Josa.