Të premten do luhen 3 nga 5 sfidat e javës së 7 të Superligës ku spikat përballja mes Vllaznisë dhe Partizanit, dy skuadra që luftojnë për kreun e tabelës, por që në ndeshjet e fundit nuk kanë marrë atë që pretendojnë. Partizani të dielën humbi në derbi, ndërsa Vllaznia barazoi pa gola kundër Teutës.

“Është një Partizanin i cili do ketë një paraqitje tjetër nga ajo në derbi me Tiranën. Për mendimin tim do jetë shumë i kujdesshëm, por ne duhet të fokusohemi te ajo se çfarë do japim ne si skuadër,”-u shpreh Mirel Josa, trajner i Vllaznisë.

Ndryshe nga Vllaznia-Partizani në orën 17:45, në orën 15:00 Tirana kampione në fuqi pret Laçin. Kurbinasit renditen të fundit me vetëm 3 pikë, pasi 5 ndeshjet e fundit kanë humbur, ndërsa bardheblutë janë me moralin perfekt pas fitores 0-1 në derbi.

“Është një kundërshtar që ka në përbërje lojtarë cilësorë. Në vitet e fundit është aktor në futbollin tonë dhe që ka koeficientin më të lartë në Europë nga klubet shqiptare. Do ta hiqja këtë që thuhet se është e fundit në renditje. Mendoj se Meriton vëmendje maksimale,”-tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Tirana aktualisht renditen e dytë në Superligë, me 1 pikë më pak se Partizani kryesues, ndërsa po të premten në orën 15 do të luhet në Durrës sfida Erzeni-Egnatia.