Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali kujtoi sot në Kuvend se në kohën kur vendi qeverisej nga PD, humbjet në rrjet në sistemin elektronenergjetik arrinin në 50%.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Spiropali iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me situatën energjetike në vend.

Spiropali kujtoi se TEC-i i Vlorës, një financim prej 120 milionë eurosh, nuk u vendos asnjëherë në punë në kohën e PD-së.

“Në rast se ju nuk do e kishit shitur gjithë sistemin tonë elektroenergjetik dhe ta falimentonit të gjithë sistemin, situata do ishte ndryshe. Ky parlament ka ngritur një komision hetimor për të cilin ka çuar fakte në prokurori për dorëzaninë që keni bërë ju dhe njerëzit rreth jush të CEZ. A do jepni përgjigje për këto? Nuk e di se si mund të vini këtu e të flisni ju për rrënim të sistemit energjetik. Nuk e di ku e gjeni këtë guxim, ju me historitë nga TEC-i i Vlorës, CEZ-i i falimentuar”, iu drejtua Spiropali opozitës.

Ajo tha se opozita ka zgjedhur të bëjë rolin e renegatit në çdo luftë.

“Vetëm pas tërmetit të 2019 deri më sot janë ndërtuar mijëra shtëpi, dhjetëra kopshte, shkolla, çerdhe në zonat që i drejtonit ju. Në Kamzë nuk kishte një çerdhe publike, për të mos folur për bashkitë e tjera që i keni drejtuar historikisht dhe i latë aty ku i latë, sepse i mbani vetëm për vota dhe i përdorni si mishin për topin elektoral. Shikoni sot Kamzën, Laçin, Lezhën, Kavajën, Rrogozhinën etj. Të gjitha qytete që janë ngritur në këmbë pas tërmetit shkatërrimtar”, tha ajo.

Spiropali iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për trashëgiminë kulturore.

“Në atë kohë ju kalatë i kishit kthyer në mejhane dasmash, nga ajo e Lezhës deri te e Sarandës e Gjirokastrës. Sot janë 7-fishuar fondet për investime në trashëgiminë kulturore. Në arsim ju kujtoj se në 2013 nuk ka pasur asnjë zë në buxhet për kërkimin shkencor. Vetëm nga 2019 në 2022 u dyfishuan fondet për kërkimin shkencor. Në 3 vite universitetet shqiptare përmirësuan performancën e tyre nga 8% sukses, në 38% sukses për sa i përket thithjes së fondeve. Janë 2.8 milionë euro vetëm këtë vit. Nuk është vetëm paga, por sot pedagogët kanë mundësi edhe përmes këtij dyfishimi të fondeve. Ky është vizioni ynë”, shtoi ajo.