Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shqyrtuar së fundmi rastin e ish-prokurorit dhe njëkohësisht ish-anëtarit të KLP-së, Besnik Cani, të shkarkuar në vitin 2020 pas rivlerësimit gjatë procesit të vettingut. Pas shkarkimit, Cani e dërgoi çështjen në Gjykatën e Strasburgut me arsyetimin se gjykimi i tij ishte kryer në kundërshtim me rregullat e pranueshmërisë.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut pasi ka gjykuar gjithë dosjen doli në përfundimin se gjyqtari i KPA-së, Luan Daci, i cili ka dhënë vendimin për Canin ka pasur probleme ligjore. Po ashtu, Gjykata konstatoi se argumenti i ankuesit kishte provuar shkeljen e një rregulli themelor të ligjit të brendshëm, që kishte ndikuar negativisht në emërimi i një prej gjyqtarëve të ulur në bankën që kishte dëgjuar çështjen e tij. Prandaj, ajo arriti në përfundimin se e drejta e kërkuesit për një “tribunal të krijuar me ligj” ishte shkelur. Por kompensimi më i përshtatshëm për shkeljen e të drejtave të kërkuesit do të ishte rihapja e çështjes dhe rishqyrtimi i saj në përputhje me kërkesat e nenit 6 dhe 1 të Konventës. Konstatimi i shkeljes mund të megjithatë, në vetvete nuk konsiderohet se kërkon rihapjen.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e menjëhershëm nga detyra më 27/02/2020 për asokohe anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik. Vendimi u motivua me mungesën e burimeve të ligjshme për justifikimin e pasurisë dhe cënimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Kolegji evidentoi mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti si dhe kursimet e deklaruara për vitet 2005-2006 nga Cani. I njëjti përfundim u arrit edhe për mbulimin e shpenzimeve për vitet 2010-2015.

Lidhur me blerjen e një sipërfaqeje trualli në Paskuqan, një automjeti të markës “Benz” dhe një garazhi pa deklaruar burimin e krijimit, Kolegji arriti në përfundimin se Cani kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Kolegji arriti në përfundimin se Cani kishte cenuar besimin e publikut edhe në kriterin e profesionalizimit, përmes lidhjes së një kontrate me kompaninë “Kastrati” për ndërtimin e një karburanti dhe një njësie shërbimi mbi truallin e tij në Paskuqan, përfshirjes në mënyrë të padrejtë të bashkëshortes së tij në listën e kredive të buta në Fier si dhe në pushimin e një procedimi penal në vitin 2006.

Sa i përket kontratës me “Kastratin”, Kolegji argumentoi se prokurori Cani “nuk mund të gëzojë besimin se mund të ushtrojë në mënyrë të pavarur funksionin e tij”. Besnik Cani e kaloi fazën e parë të Vettingu më 27 nëntor 2018, ndonëse 4 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi u kritikua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas Komisioneri Publik, të cilët evidentuan se KPK kishte hequr dorë nga funksioni për rivlerësimin e subjektit.

Në Kolegj, Cani dhe avokati i tij, Eduard Halimi udhëhoqën një betejë kundër dy anëtarëve të trupës, duke sfiduar legjitimitetin e tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Para fillimit të procesit, subjekti kallëzoi në SPAK relatorin Luan Daci për falsifikim të formularit të deklarimit lidhur me arsyet e largimit të tij si gjyqtar, ndërkohë që gjyqtari Ardian Hajdari u kontestua se ishte zgjedhur në KPA në kundërshtim me ligjin, pasi kishte një mesatare më të ulët sesa e kërkonte ligji.