Punesimet ne Konviktin e Shkolles Profesionale / Vijojne akuzat PD – PS

Përdorimi i taksave të qytetarëve, janë prioritet i Partisë Demokratike dhe çdo shtrembërim që kërkon t’i bëhet të vërtetës është vetëm një lojë fjalësh që kërkon vetëm të shmangë përgjegjësinë e abuzimit, tashmë të faktuar me punësimet e realizuara në strukturën e Konviktit të Shkollës Profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat, Bashkia Vau Dejës.
Kryetari i Partisë Socialiste, Kristian Shkreli, në deklaratën e tij në media, vetëm sa shmangu përgjegjësinë e tij direkte, duke ia faturuar punësimet dikujt tjetër edhe pse të gjithë e dimë se çdo emërim i kryer në institucionet publike, mban vetëm një emër, atë të “Rilindjes” që për banorët e Bashkisë Vau Dejës, është ajo e mashtrimit, abuzimit dhe vjedhjes.

Kristian Shkreli, iu tremb të vërtetës, gjatë deklaratës së tij, duke mos sqaruar asgjë lidhur me punësimet nepotike të farefisit të tij, në Konviktin e Shkollës së Mesme Profesionale “Ndre Mjeda”, në Bushat.

Por provat dhe faktet janë të pakundërshtueshme dhe 6 persona, punonjës të Konviktit te Shkollës Profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat, janë të gjithë jo vetëm të afërm e me lidhje farefisnore me Kristian Shkrelin por edhe banues të lagjes Krye Bushat në Njësinë Administrative Bushat. Ata janë kuzhinier, ndihmës kuzhiner, magazinier, dy punonjës mirëmbajtje dhe sanitare.

Nuk duam të nxjerrim emrat në respekt të çdo individi, por përballë fakteve, loja politike e fjalëve, tregon frikën nga e vërteta e abuzimeve që prej 3 vitesh që bën Bashkia Vau Dejës!
Ne, nuk do të ndalim së denoncuari çdo aferë korruptive, çdo abuzim me taksat e banorëve të Bashkisë Vau Dejës, për t’i informuar të gjithë lidhur me atë që ndodh në kohë reale.