Kasandër Noga dyshohet se është porositësi i ngjarjes së ndodhur në 4 janar të vitit 2022 ku u vra Erjon Çela dhe u plagosën katër të tjerë. Ngjarja njihet ndryshe si “masakra e Don Boskos”.

Vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj kanë rrëfyer se ka qenë vetë Kasandër Noga ai që dha urdhrin për sulmin e ndodhur në Don Bosko të Tiranës. Ndërkohë që vetë, Noga ndodhet i arrestuar në Belgjikë për atentatin ndaj Erion Hasanbelliut në Belgjikë.

Kasandër Noga nga Patosi, në vitin 2000 i ka vrarë babain Erion Hasanbelliut pas një konflikti. Vëllai i tij, Geron Hasanbelliu është vënë në pranga 14 qershor 2013, në rrugën e Barrikadave në Tiranë.

Arrestimi dhe ekstradimi i tij në vitin 2013, është bërë pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 7 shtator 2009, e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim për gjakmarrje“ e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Masakra e Sanatoriumit para 22 vjetësh

Më 19 gusht të vitit 2000 Kasandër Noga hyri në sanatorium i shoqëruar edhe nga Julian Çela dhe pasi shkelmuan dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i vellezërve Hasanbelliu) dhe Dritan Hajdini, shoku i Geronit, u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Vrasja ndodhi për motive hakmarrjeje, pasi këta persona i kishin vrarë kohë më parë vëllain, Kasander Nogës.

Hakmarrja në Belgjikë dhe arratisja në Itali

Vëllezërit Hasanbelliu u vunë në ndjekje të djaloshit nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, më 17 mars të vitit 2002, Geroni së bashku me Erionin, tentojnë të hakmerren.

Në Anversë të Belgjikës, ata ekzekutojnë Julian Celën dhe plagosin rëndë Kasandër Nogën në një lokal të hapur në qytetin e dytë me të madh belg pas Brukselit.

Pas ngjarjes në Belgjikë, Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri.
Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së Sanatoriumit, u arrestua nga policia belge gjatë vitit 2003 dhe në 2005-ën u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm.