Ish-deputetja e Partisë Socialiste Mimoza Hafizi, e cila është astrofizikante me profesion ka komentuar lajmin e ngritjes së satelitëve shqiptarë në hapësirë.

Në një intervistë për “Euronews” Mimoza Hafizi tha se është jo efikase që të shpenzohet 6 milionë euro për satelitët. Teksa ka komentuar shërbimin satelitor që u prezantua ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama, theksoi se sateliti do qëndroj mbi Shqipëri vetëm 1 minutë. Ndaj dhe shtoi se për një kohë të tillë dhe me rezolucionin që ka sateliti, më e udhës do të ishte përdorimi i “Google Earth”, që sipas saj kushton më pak dhe ka afërsi më të madhe me tokën.

“Besoj se bëhet fjalë për satelitët e zakonshëm që hidhen në lartësinë 400 po 500 kilometra nga toka që quhet orbita e ulët e satelitit, dhe satelit i tillë për një orë e gjysmë do të bëjë një rrotullim të plotë të të gjithë perimetrit të trajektores ku është përcaktuar, dhe imagjinoni për një orë e gjysmë sa do të qëndrojë sateliti mbi në Shqipëri. Ai do qëndrojë vetëm 1 minutë. Është një objekt jo efikas. Kushton 6 milionë euro, dhe 6 milionë euro nuk e di nëse i kanë kontraktuar për një vit apo dhe për vitet tjera. do të ishte më efikase të përdorej Google Earth, japin pamje shumë herë më të madhe sesa satelitët që janë kontraktuar. Unë po flas nga pikëpamja teknike dhe shkencore. Google Earth ka rezolucion 25 cm. Satelitët e kanë 70, e kuptoni diferencën? Unë si banore e tokës do të doja që satelitët të kenë efikasitetin maksimal. Ai do jetë në rrotullim, vetëm 1% të kohës do jetë në Shqipëri,”- theksoi ajo.

Edhe më herët, ajo e ka konsideruar një fantashkencë dhe absurd premtimin e kryeministrit Edi Rama për të hedhur në orbitë dy satelitë të Shqipërisë. Por kurrë nuk ka marrë një përgjigje prej tij. Po ashtu, vlen për të përmendur se Hafizi njihet për përplasjet me kryeministrin Rama, gjatë kohës që ka qenë dhe pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Madje ajo dhe Ben Blushi ishin themeluesit e “Libra”, pasi u larguan nga strukturat e Partisë Socialiste. Pas tërheqjes nga politika, Hafizi është marrë me profesionin e saj, por gjithashtu ka dhënë edhe komentin e saj për satelitët.

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar dje nënshkrimin e kontratës me vlerë 6 milion dollarë për satelitët Albania1&Albania2, nismë e prezantuar nga vetë kreu i qeverisë. Kontrata u nnëshkruar mes kreut të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako dhe përfaqësuesit të kompanisë që do të bashkëpunojë me Shqipërinë në këtë fushë. Rama tha se satelitët do tu japin fund ndërtimeve pa leje, abuzimeve me të mbjella, prerjen e pyejeve, kanabisin dhe deri në parandalimin e akteve kriminale.