Mësuesi Pashuk Alia ka kërkuar nga gjyqtarja e Tiranës ndryshimin e masës së arrestit shtëpiak, me detyrim paraqitjeje. Ai ka deklaruar se shkolla 9-vjeçare Mezi, Arts Miliska në Pukë ka mbetur pa mësues histori-gjeografie dhe se nuk ka kush t’i mësojë.

“Jam mësues histori-gjeografie në shkollën 9-vjeçare Fierzë-Pukë, konkretisht në shkollën 9-vjeçare Mezi, Arts Miliska. Shkolla ka mbetur pa mësues dhe nuk ka kush i mëson nxënësit. Ju lutem ndryshoni masën e arrestit shtëpiak në detyrim paraqitje”, ka deklaruar Alia gjatë seancës së sotme me dyer të mbyllura.

Gazetarja Anila Hoxha bën të ditur se pasi ka dëgjuar dhe prokurorinë që la në dorë të gjykatës vendimarrjen, trupa u tërhoq këtë të shtunë për ta shpallur vendimin të martën. Mësuesi përfaqësoi veten gjatë seancës dhe kërkoi që gjatë shqyrtimit për ndryshimin e masës shteti t’i caktojë një avokat falas.

Pashuk Alia akuzohet nga Prokuroria për mashtrim kompjuterik, pasi dyshohet se tërhoqi para përmes një dokumenti të falsifikuar.