“Kryeinspektorat në qiell”, Rama flet për satelitin: Do jetë syri që i sheh të gjitha! Pastaj radha e dronëve të armatosur

Satelitin, kryeministri e cilëson “një sy që i sheh të gjitha” dhe thotë se falë tij mund të krijojmë një bazë të plotë të të dhënave.

“Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje, sepse satelitët do të kenë mundësi të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës.

Do të kemi mundësi të monitorojmë të gjitha të mbjellat. Do të jetë e lehtë për Ministrinë e Bujqësisë që të identifikojë dhe vërtetojë të gjitha të mbjellat. Nuk do të vish më me një titull pronësie të një toke që nuk e ke punuar asnjëherë dhe të vish të kërkosh naftë.

Do të krijojmë bazë të dhënash që do të na japë mundësi të bëjmë shumë analiza, në funksion të programimit për të nesërmen. Do të kemi konkluzione shumë më të shpejta se sa vëzhgimi me sy. E njëjta gjë për zjarret, prerjet e pyjeve, vëzhgimin e lumenjve”.

Sipas kryeministrit, shumë shpejt, flotës tonë do t’i shtohen dhe dronët e armatosur:

“Satelitët shumë shpejt do të pasohen nga dronët, që me zhvillimet e reja kemi vendosur t’i marrim të armatosur. Janë për raste ekstreme apo të armiku potencial”.

Planin ambicioz për dërgimin e satelitëve në hapësire, Rama e deklaroi për herë të parë në tetor të vitit 2021.

“Do të ketë jo vetëm satelitë, por do të ketë edhe dronë inteligjentë që do na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër në aspektin e administrimit të territorit të vet. Këto janë mjete të një teknologjie të re që garantojnë një monitorim të territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë, ndërtimet që kryhen në territor, tek monitorimi lidhur me informacionet që u duhet strukturave të shtetit në luftën kundër trafiqeve”.

Ndërkohë sot u nënshkrua kontrata e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit SateLogic SHBA.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se kontrata ka vlerën 6 milionë dollar dhe konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, “Albania 1” dhe “Albania 2”, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë. Ai sqaroi se satelitët do të ndihmojnë në përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë. Satelitët do të ndihmojnë shumë fusha, si Policinë e Shtetit apo ministrinë e Bujqësisë.