Tom Doshi, ish-kreu i Partisë Social Demokrate ka mbërritur në kryeministri për të zhvilluar një takim me kreun e qeverisë, Edi Rama.

Takimi po zhvillohet në zyrën e kryeministrit Rama. Nuk dimë të themi se për çfarë po diskutohet në këtë takim mes dy personave që dikur kanë qenë aleatë në politikë. Në foton e publikuar nga Dosja.al, Doshi shihet duke folur në telefon.

Tom Doshi ka dhënë dorëheqjen nga mandati një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, teksa votat e PSD ishin në numërim e sipër. Partia e tij ka marrë 3 mandate në rang vendi, 2 në Tiranë dhe 1 në Shkodër. Vendimi i Doshit erdhi pas thirrjeve të ambasadores Kim, e cila prej kohësh lakonte emrin e ish-deputetit të PS si person të shpallur non grata nga DASH që duhet të qëndronte larg Kuvendit.