Martin Gjini është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet si autor i vrasjes së 44-vjeçarit Pjetër Kola nga Lezha.

44-vjeçari u plagos mbrëmjen e djeshme në Vaun e Dejës dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Shkodrës, por humbi jetën në sallën e operacionit.

“Shërbimet e Policisë dhe grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Pukë, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi P. K., 44 vjeç, nga Lezha, i cili më pas ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, kanë vijuar intensivisht punën për grumbullimin e provave, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit M. GJ. alias A. Gj., 36 vjeç, banues në Lezhë”, informoi sot (28 shtator) policia.

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaftallë, Pukë.

“Rreth orës 18:00, në qendrën shëndetësore të Vaut të Dejës është paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasi P. K., 44 vjeç, nga Lezha, i plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, ne fshatin Qafë Çelë, Pukë.

Ky shtetas është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, për ndihmë mjekësore më të specializuar, i cili ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.

Është ngritur menjëherë grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, deklaroi dje policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personit të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje../abcnews.al/