Sot mblidhet kryesia e Partisë Socialiste. Në orën 18:00, kryeministri Edi Rama do mbledhë kryesinë në selinë rozë për të diskutuar për zgjedhjet lokale. Në mbledhje pritet që të përcaktohen në parim kandidaturat për kryetarë bashkie.

I vetmi emër thuajse i konfirmuar është Tirana, në të cilën kryesocialisti pritet të rikandidojë Erion Veliajn. Vetë Rama është shprehur se kjo gjë do të vendoset me të gjithë socialistët së bashku, por që nuk sheh asnjë arsye se përse Veliaj të mos rikandidojë. Fillimisht u aludua emri i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, por më pas kjo ‘alternativë’ u hodh poshtë.

Për bashkitë e tjera pritet të mësohet nëse do të ketë prurje të reja. Zgjedhjet lokale të 2023-shit pritet të mbahen mes muajit prill e maj, por data nuk është caktuar ende. Nga ana e Opozitës nuk ka asnjë kandidaturë të konfirmuar. Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se kandidatët e selisë blu do të zgjidhen përmes primareve, ndërkohë që mbetet për tu parë se si do të vijojë bashkëpunimi me Partinë e Lirisë.

Aktualisht vendi ynë është i ndarë në 61 bashki, 59 prej të cilave drejtohet nga kampi rozë, Shkodra ka në krye demokratin Bardh Spahia, ndërsa në Finiq drejton Kristo Kiço, i dalë nga MEGA.