Kontrabandë dhe korrupsion / Kapen “mat” 2 inspektorët dhe 2 doganierët

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra 2 inspektorë të policisë kufitare si dhe të 2 doganierë.

Njoftimi:

Pogradec – Drejtoria Rajonale e AMP Korçë ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në ngarkim të:

– Inspektor A. H., 43 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, stacionuar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë/të pjesshëm, nga detyrimet doganore apo të akcizës”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

– Inspektor F. M., 38 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, stacionuar në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ” Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë/të pjesshëm, nga detyrimet doganore apo të akcizës “,”Kontrabanda me mallra të tjera”.

– Shtetasit nën hetim V. B., 53 vjeç, me detyrë doganier fizik në Degën e Doganës Pogradec, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

– Shtetasit nën hetim J. P., 45 vjeç, me detyrë doganier i peshores në Degën e Doganës Pogradec, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.

Këta shtetas janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.206, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, i referuar dhe ndjekur nga AMP Korçë nën drejtimin e kësaj Prokurorie gjatë operacionit “Dinarët” në kuadër të punës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare, ku me herët në lidhje me këtë proçedim janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, ndër ta edhe punonjësit e mësipërm.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.