Elisa Spiropali emerohet Drejtuese Politike e PS ne Shkoder

Kryeministri Edi Rama në zgjedhjet vendore do të ketë një skuadër të re organizative. Kryesia e Partisë Socialiste në mbledhjen e sotme ka marrë vendimin për të ndryshuar drejtuesit e 3 qarqeve, Vlorë, Shkodër dhe Kukës.

Kështu, Blendi Klosi do të zëvendësojë Arben Ahmetaj në Vlorë, Elisa Spiropali ikën nga Kukësi dhe shkon në Shkodër në vend të Edona Bilalit. Pandeli Majko do zëvendësojë Spiropalin në Kukës. Këto ndryshime, Rama i quajti “pa peshë”, por në funksion të organizimit të partisë.

“Ndryshime të natyrës organizative që nuk kanë ndonjë peshë, nuk janë ndryshime qeverie, të gjithë kanë detyrat dhe ndryshimi i pozicioneve në kushtet kur jemi drejt një fushate zgjedhore, s’ka asgjë të re”, tha Rama.

Zgjedhja e kandidatëve për kryebashkiak në zgjedhjet vendore të 2023, duket se do të jetë sërish ekskluzivitet i vetë Ramës, apo propozim i drejtuesve të qarqeve, pasi çdo mënyrë tjetër është përjashtuar. Ndalur këtu, ai nuk ka kursyer edhe ironitë për kundërshtarin politik, Sali Berisha që tha se kandidati do dalë nga një garë e brendshme brenda partisë. Sapo u pyet “nëse do ketë primare”, Rama u përgjigj shumë shpejt “Jo, faleminderit”.