Nga Durrësi, kryeministri Edi Rama bëri bilancin e sezonit turistik veror, të cilin e cilësoi si më i mbari ndonjëherë, jo vetëm nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaja, por edhe sa i takon pastërtisë e shërbimeve publike. Në një takim ku ishin të pranishëm, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, si dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, kreu i qeverisë bëri me dije se tashmë ka filluar puna përgatitore për sezonin e ardhshëm, me ambicien për më shumë e më mirë.

Duke ju referuar shifrave të para vitit 2013, kryeministri Edi Rama tha se nga 4% të prodhimit të brendshëm bruto që ishte në atë kohë, sot është 17% e prodhimit të brendshëm bruto. Kreu i qeverisë në fjalën e tij nënvizoi se synohet se që të hiqet fjala sezon turistik, pasi Shqipëria duhet të jetë turistike 365 ditë të vitit. Nga ana tjetër ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se 30% e plazheve në vitin 2023 do të jenë publike. Kumbaro ka bërë me dije se stacionet e plazheve dhe ato për mjete lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës. Në bilancin e sezonit turistik veror, Kumbaro u shpreh se aplikimet do të hapen nga data 1-30 dhjetor.

Stacionet e plazheve, dhe stacionet për mjetet lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës. Nga data 1-30 dhjetor do të jenë të hapura aplikimet për certifikimin e aktivitetin për ofrimin e mjeteve lundruese, po ashtu është koha për të aplikuar edhe për stacionet. Në vitin 2023, 30% e plazheve do të jenë publike”, tha Kumbaro.

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek argëtimi për fëmijët gjatë sezonit turistik, ku tha se nuk do të jepen më leje për fshatrat turistike, që nuk ofrojnë hapësira argëtimi për fëmijë dhe ky kriter do të shtohet dhe për hotelet. Sa i takon zhvillimit të turizmit, kreu i qeverisë u ndal edhe tek portet turistike në vend, ku tha se do të sjellin kategori turistësh që lënë varkat dhe konsumojnë në hotele e restorante. Sipas tij, kjo sjell rritje pagash dhe zhvillim ekonomik për vendin. Rama përsëriti thirrjen për të rinjtë që mendojnë emigrimin drejt Britanisë dhe paguajnë deri në 30 mijë paund për të ikur drejt Anglisë. Rama bëri thirrje që ato të investojnë në agroturizëm se do të kenë më shumë të ardhura.