Ndonëse rezultati nuk është 100% përfundimtar, është pak a shumë e qartë që Italia ka për herë të parë një grua kryeministre! 

Giorgia Meloni, nga partia radikale, “Fratelli d’Italia” duket se do të jetë kryeministrja e parë grua e vendit duke udhëhequr atë që konsiderohet se do të jetë qeveria më e anuar drejt ekstremit të djathtë nga koha e Benito Musolinit.

Përpara simpatizantëve të saj që festonin mes brohorimash, Meloni u zotua të bashkojë njerëzit, e të punojë njësoj për të gjithë italianët.

“Nga ajo çfarë pamë prej rezultateve paraprake, italianët kanë dërguar një mesazh të qartë në favor të qeverisë së qendrës së djathtë të drejtuar nga Fratelli d`Italia. Nëse na besohet udhëheqja e këtij vendi, ne do ta bëjmë për të gjithë italianët. Do ta bëjmë këtë gjë me qëllimin të bashkojmë njerëzit, të forcojmë atë që na bashkon në vend të asaj që na përcan.”- deklaroi ajo.

Të dielën, më shumë se 50 milionë italianë votuan në parlamentin e ri, por sipas statistikave, pjesëmarrja në votime ishte edhe më e vogël se në zgjedhjet e fundit. 

Që në sondazhet para zgjedhore Aleanca e Djathtë kryesonte, ndërsa exit pollet konfirmojnë se Fratelli d’Italia ka mundur të marrë më shumë vota se “Lega” e Matteo Salvinit dhe “Forza Italia” e Silvio Berlusconit së bashku. Partia e Melonit numëron 26% të votave, Lega 9% dhe Forza Italia 8%; koalicioni i tyre mbërrin kështu 44% të votave.

Me shifra të tilla, Meloni nuk druhet të pohojë se tashmë se qeveria e ardhshme e Italisë do të udhëhiqet nga FDI.  Sidoqoftë, krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës mund të kërkojë javë të tëra. Zgjedhjet e parakohshme kombëtare të së dielës ishin pasojë e sherreve të brendshme partiake që çuan në kolapsin e qeverisë së Mario Draghit në korrik.