Takimi me pedagogët, Kushi zbardh diskutimet: Rritja e pagave të bëhet në bazë të performancës

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka propozuar një politikë për rritjen e pagave për pedagogët e universiteteve bazuar në performancën.

Këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, ku ka zbardhur çështjet që ka diskutuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve.

Sipas ministres, për kërkesën kryesore, atë të rritjes së pagave, Kushi thotë se qeveria synon krijimin e një politike që lidhet me performancën e universiteteve.

Publikimi i plotë i ministres Evis Kushi:

Zhvilluam sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre.

Pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve, të tilla si:

– mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;

– rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;

– rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;

– rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;

– si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.

Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës.