Ministrja Bilali mban premtimin e dhënë për Shkodrën gjatë fushatës së vitit 2021

Ministrja Bilali mban premtimin e dhënë për Shkodrën gjatë fushatës së vitit 2021

Mbështetje ndaj Bashkisë Shkodër për ndërtimin e një qendre rinore në zhvillimin e sipërmarrjes dhe inovacionit për të rinjtë

Përmes një publikimi në rrjetin e saj social, Ministrja Edona Bilali ka nënvizuar se edhe Bashkia Shkodër është bërë pjesë e mbështetjes së ekosistemit të start up-eve, si pjesë e Thirrjes së Parë nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Paçka se Bashkia Shkodër drejtohet prej vitesh nga e djathta duket qartë që kur vjen çështja për qytetarët palët janë mbi ndarjet politike.

Nëpërmjet një komunikimi të shkurtër, Ministrja Bilali theksoi se: “Që në thirrjen e parë, ne ia arritëm që falë një fondi prej 7 milion lekësh të rinj, t’iu japim mundësi të rinjve shkodranë për t’u bërë pjesë e ekosistemit, për të cilën sot bota po investon sidomos kur bëhet fjalë për inovacionin, teknologjinë dhe botën e madhe digjitale, si dhe jetën e nomadëve digjitalë”, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë për të lënë mënjanë edhe ndasitë politike pasi projekti do të zbatohet drejtpërdrejtë nga Bashkia Shkodër, sikurse pret një bashkëpunim sa më të frytshëm në zbatimin e tij në mbështetje të të rinjve të Shkodrës të cilët janë shquar ndër shekuj për aftësitë e tyre sipërmarrëse.

Ky projekt, i cili do të zbatohet nga Bashkia Shkodër, bën pjesë në kategorinë e lehtësuesve të startup-eve, ku përmes financimit nga granti i fituar në thirrjen për projekt-propozime nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ka si qëllim ndërtimin e një qendre rinore për zhvillimin e sipërmarrjes dhe inovacionit, i dedikuar për të rinjtë e Shkodrës.

Në fokus të tij do të jenë trajnimi i të rinjve dhe aftësimi i tyre në fushën e komunikimit digjital ICT, rritja e kreativitetit për të ndikuar direkt në zhvillimin e tyre, si dhe krijimi i kushteve për biznese të reja, start up, inovacion dhe fusha të tjera që tashmë konsiderohen si punët e së ardhmes.

Kjo mbështetje ndaj Bashkisë Shkodër vjen edhe në vazhdën e premtimit të dhënë në zgjedhjet e vitit të kaluar nga Ministrja Bilali, e cila ka cilësuar se: “Nuk do të jetë një deputete që premton vende pune, por do të përpiqet që të sjellë kompani të huaja në Shkodër që të krijojnë vende pune. Nuk do ta mbajë rininë me birra, por do të trokasë në derën e Kryeministrit që të hapë zyra inovacioni në Shkodër etj.”

Një premtim i bërë realitet që përqafon edhe filozofinë e slloganin “Tanë Bashkë” të vetë Ministres Bilali, përmes të cilit duket qartë se mbështetjen e pakursyer ndaj qytetit të saj të lindjes, Shkodrës, nuk do ta ndalë në asnjë moment të rrugëtimit të saj politik.