La bashkëshortin dhe Poloninë për Shqipërinë : Mos ikni !

Natalie është një vajzë nga Polonia me të cilën u njohëm sot në ‘Abc e Pasdites” me Ermal Peccin. Ajo rrëfeu historinë e saj që e lidh ngushtë me Shqipërinë. Sot ajo udhëton mes Shqipërisë dhe Polonisë gati çdo muaj dhe është e dashuruar me Thethin, vendin e parë që ka vizituar në shtetin tonë.

“Unë u ndava nga bashkëshorti dhe doja të ndjehesha e lirë. Shqipëria më zgjodhi mua. Udhëtoja mes Shqipërisë dhe Polonisë, e gjatë kësaj kohe ne u divorcuam dhe kjo është tashmë jeta ime e bukur. E gjithë kjo ka ndodhur vetëm një vit më parë” – rrëfeu Natalie mbi ngjarjet që i kanë ndryshuar jetën.

Por në një kohë ku rinia shqiptare gjithmonë e më tepër dëshiron të largohet nga vendi, Natalie u shpreh se ajo sheh shumë paqe dhe bukuri këtu. Ajo vlerëson faktin që Shqipëria nuk është ende aq e urbanizuar dhe sheh shumë potencial për të ardhmen. Madje u bën thirrje shqiptarëve që mos të largohen.

“Shqipëria është shumë e bukur që nuk është kaq europiane dhe mua më pëlqen kjo gjë. Këtu i gjen të gjitha. Jetoj në qendër të Shkodrës dhe mund të dëgjoj gjelin në mëngjes. Djathin mund ta bësh vetë, kjo është e jashtëzakonshme. Unë i kuptoj të rinjtë që kanë nevojë të zhvillohen por unë shoh një potencial shumë të madh në këtë vend. Mos u largoni, qëndroni këtu dhe dashurohuni me Shqipërinë.” /abcnews.al