Shkodra është kthyer në një vend ku bashkitë e tjera çojnë kafshë, kryesisht qen, me fugonë larg territorit të tyre. Madje jo vetëm nga Shqipëria, por edhe territore jashtë Shqipërisë.

Ky fakt është pranuar për herë të parë zyrtarisht nga institucionet lokale në Shkodër.

“Ky në fakt është një problem, na hyn në rreth vicioz. Ne përmirësojmë trajtimin e qenve. Bashkitë e tjera na i sjellin me fugon,” tha Kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia.

Nisur nga numri shqetësues i qenve në rrugë, Bashkia ka nisur ndërtimin e një strehëze për ta.

“Fillimi i këtyre punimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Kemi pasur një fokus tonin dhe ka qenë një prej objektivave tonë kryesorë për ta realizuar këtë strehëzë” tha ai.

Drejtor i Bujqësisë në Bashkinë Shkodër thotë se ky objekt do të jetë një rrugë zgjidhjeje për këtë fenomen.

“Nga 22 vendqëndrime të kafshëve që do të kenë 4-5 kafshë të ndara nga çdo kapanon. Do të jetë dhe dhoma e veterinerit,” tha ai.

Projekti pritet të kushtojë mbi 3.7 milion lekë ndërsa ai do të jetë gati brenda vitit 2022.