Prek Kodra, emri i të cilit u përfol se ishte snajperisti që do të kryente atentatin ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë për akuzat ndaj tij.

Në një lidhje telefonike në emisionin “Pressing”  në T7, ku ishte i ftuar edhe gazetari Artan Hoxha, Kodra tha se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, ndërsa nga kjo histori është ndikuar edhe familja e tij.

Emri juaj ka qenë pjesë e të gjitha gazetave, si pjesë e një plani për të vrarë kryeministrin Kurti, çfarë keni për të thënë për këtë.

Prek Kodra: Ça të shpjegoj, vetëm po shpika diçka sikur kanë shpikur persona të paidentifikuar për mua. Albin Kurtin e njoh vetëm prej televizionit. Më keni akuzuar dhe po më merrni më qafë mua dhe familjen time.

Për herë të parë, paradite rreth orës 11 kam qenë në Shlodër në kafe dhe dikush më ka telefonuar nga Gjermania dhe më thotë a je duke i parë lajmet dhe më ka nisur linkun. E kam parë linkun dhe pashë një gjë që se kisha imagjuinuar kurrë në jetën time.

Ai ka treguar gjithashtu se e kanë ndaluar në Kosovë kur ka shkuar për të blerë një makinë dhe nuk i kanë treguar arsyet pse po e mbanin prej orësh

Prek Kodra: Më kanë ndaluar në Kosovë para një viti në doganë, më 24 nëntor nëse nuk gaboj. Isha duke shkuar në Kosovë për të blerë një kamionçinë. Kur më kanë ndaluar kam qenë me makinën e vajzës time për të blerë një kamionçinë për firmën time. Kur kam shkuar në doganë më kanë ndaluar dhe më kanë mbajtur nga ora 2 e pasdites deri në orën 11 në darkë pa më thënë pse më kanë ndaluar. Në doganë më kanë arrestuar. Kisha 15 mijë euro me vete.

Ku të kanë marrë në pyetje?

Prekë Kodra: Më kanë çuar në Prishtinë dhe më kanë marrë në pyetje nga Departamenti i Krimeve të rënda. Nuk e dija pse po më ndodhte ajo gjë. Kur më thanë që dyshohesh për falsifikim parash por unë isha i sigurt sepse i kisha marrë te firma ime.